Prishtinë, 20 dhjetor 2023 – Kryetari i Gjykatës së Apelit Valon Totaj, në kuadër të ditës së pestë dhe përmbyllëse të aktiviteteve të “Ditëve të Gjyqësorit”, mori pjesë në Konferencën Vjetore të Sistemit Gjyqësor, ku u diskutua lidhur me standardet në sistemin e drejtësisë, transparencën e gjyqësorit, gjykatat dhe departamentet e specializuara, pavarësia buxhetore si dhe çështje tjera që janë me ndikim në avancimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Kryetari Valon Totaj, në cilësi të penalistit, theksoi se transparenca e gjyqësorit duhet konsideruar si parakusht për ngritjen e llogaridhënies dhe profesionalizmit, dhe se numri i vendimeve, vendimeve disiplinore dhe seancave gjyqësore të publikuara në ueb faqet zyrtare të gjykatave është në rritje.
Kryetari Totaj shtoi se deri më tani në ueb faqet zyrtare, janë publikuar rreth 38 mijë aktgjykime dhe aktvendime të përpunuara ndërsa janë publikuar edhe 103 vendime disiplinore nga autoriteti kompetent. Totaj, gjithashtu shtoi se Gjykatat e Republikës së Kosovës, gjatë vitit 2023, në ueb faqet zyrtare kanë publikuar rreth 40 mijë seanca gjyqësore. Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në mbështetje të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Misioni në Kosovë, këtë vit ka organizuar “Ditët e Gjyqësorit”, për disa ditë me radhë, ku në ditën e pestë dhe përmbyllëse morën anëtarët e KGJK-së, kryetarët e gjykatave, partnerë vendorë dhe ndërkombëtar si dhe përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile dhe mediave, që përcjellin punën e sistemit gjyqësor.