Vërtetohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ndaj të akuzuarve A.A, F.K, E.H dhe A.B

Vërtetohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ndaj të akuzuarve A.A, F.K, E.H dhe A.B

Prishtinë, 26 dhjetor 2023, Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special PKR.nr.70/18, të datës 15.02.2023, e ka vërtetuar.

Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PKR.nr.70/18, të datës 15.02.2023, të akuzuarit A.A, F.K, E.H dhe A.B, për shkak të veprës penale në bashkëkryerje, kryerja e veprës penale terroriste nga neni 136 paragrafi 1, lidhur me nenin 135 paragrafi 1, lidhur me paragrafin 1.7 të KPRK si dhe lidhur me nenin 31 të KPK, i ka liruar nga akuzua, në mungesë të provave, ndërsa sa i përket shpenzimeve të procedurës penale, është vendosur që të bien në barrë të mjeteve buxhetore të gjykatës.

Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, me aktgjykimin APS.nr.16/2023, të datës 31.10.2023, e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PKR.nr.70/18 të datës 15.02.2023, e ka vërtetuar. Në arsyetim të aktgjykimit Gjykata e Apelit, ka theksuar se aktgjykimi i ankimuar nuk është i përfshirë në shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, nga fakti se dispozitivi i aktgjykimit është i qartë, i kuptueshëm dhe në përputhje me arsyetimin, në të cilin arsyetim janë paraqitur arsyet e plota dhe të qarta të fakteve vendimtare së bashku me arsyet me rastin e zgjidhjes së çështjeve juridike, të kësaj çështje penale. Gjithashtu kjo gjykatë ka gjetur të pabazuar, pretendimin e prokurorisë, se gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur të vërtetojë gjendjen faktike, kjo për faktin se, gjykata e shkallës së parë në arsyetimin e aktgjykimit të ankimuar përkitazi me këto pretendime të ngritura dhe të apostrofuara nga prokuroria,  ka dhënë arsyet e qarta dhe të mjaftueshme nga të cilat ka ardhur në përfundim të drejtë, se nga këto prova të administruara në shqyrtim gjyqësor, nuk është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se të akuzuarit janë bashkëkryerësit e veprës penale, për të cilën janë akuzuar me aktakuzën e prokurorisë dhe nga provat materiale të gjetura në vendin e ngjarjes si dhe pas ekzaminimeve nga institutet përkatëse, nuk është vërtetuar për të ndërlidhur të akuzuarit me rastin për të cilin janë akuzuar. Kolegji penal i Gjykatës së Apelit, lidhur me vërtetimin e gjendjes faktike, ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë drejtë ka aplikuar edhe ligjin penal, kjo për faktin se nga provat e administruara nuk ka rezultuar së provuari se në veprimet e të akuzuarve formohen elementet e veprës penale për të cilën janë akuzuar, prandaj edhe ka konstatuar se të njëjtit me të drejtë janë liruar.

https://apeli.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/AP_APS_2023-070073_SQ.pdf