Prishtinë, 3 qershor 2024 – Kryetari i Gjykatës së Apelit të Kosovës, z.Valon Totaj, ka pritur sot në takim Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), z.Giovanni Pietro Barbano, Shefin e Shtyllës së Monitorimit, z.Giovanni Galzignato si dhe Shefin e Njësisë për Monitorimin e Rasteve z.Hubert Van Eck Koster.
Gjatë takimit Kryetari Totaj, e njoftoi shefin e EULEX-it, z.Barbano, lidhur me aktivitetet, proceset dhe punën e Gjykatës së Apelit, të arriturat dhe sfidat me të cilat po përballet kjo gjykatë, si dhe vështirësitë e krijuara pas dorëheqjeve të gjyqtarëve nga radhët e komunitetit serb, në Divizionin e Apelit në Mitrovicë.
Totaj shprehu gatishmëri për vazhdimin e bashkëpunimit me misionin e EULEX-it, me qëllim të realizimit të objektivave të përbashkëta, që ndikojnë në forcimin e sundimit të ligjit, rritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies, në sistemin gjyqësor.
Shefi i EULEX, gjithashtu shprehu gatishmërinë e tij për ofrimin e mbështetjes për Gjykatën e Apelit dhe insitucionet gjyqësore në përgjithësi, përmes rolit të monitorimit drejt avancimit të sundimit të ligjit në vendin tonë, në pajtim me praktikat më të mira të BE.