Prishtinë, 14 qershor 2024 – Kryetari i Gjykatës së Apelit të Kosovës, Valon Totaj, mori pjesë në Konferencën për gjendjen e gjyqësorit në veri të Kosovës, në kuadër të projektit “Përkrahja e Qasjes në Drejtësi në Kosovën Veriore” , mbështetur nga UNMIK dhe zbatuar nga OJQ ACDC.
Në fjalën e tij të rastit në cilësinë e panelistit, kryetari Totaj, vuri në pah sfidat me të cilat është ballafaquar sistemi gjyqësor, me rastin e dorëheqjes kolektive të gjyqtarëve serb dhe stafit mbështetës nga Gjykata Themelore në Mitrovicë me degët e saj, si dhe Divizoni i Apelit në Mitrovicë. Totaj vuri theksin në numrin e madh të lëndëve, të cilat është dashur të shpërndahen dhe të barten në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, rrethanë kjo e cila ka rrezikuar parimin e zgjidhjes së çështjeve brenda afateve të arsyeshme kohore.
Kryetari Totaj, në këtë drejtim theksoi angazhimin e fuqishëm të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe të Gjykatës së Apelit, në drejtim të menaxhimit dhe ndërmarrjes së mekanizmave të duhur për stabilizimin dhe tejkalimin e gjendjes së krijuar, me qëllim të evitimit të vonesave të mëdha në trajtimin e këtyre lëndëve, duke bërë përpjekje që të respektohet sa më shumë parimi i gjykimit të drejtë dhe në kohë të arsyeshme, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim etnie, religjioni apo çfarëdo orientimi tjetër.
Në fund kryetari Totaj, iu bëri thirrje të rinjve nga ana e komunitetit jo shumicë serb, si dhe komuniteteve tjera, që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e sistemit gjyqësor, në mënyrë që të njëjtit të jenë në shërbim të avancimit të drejtësisë dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim.