Prishtinë, 17 tetor 2024 – Kryetari i Gjykatës së Apelit të Kosovës, Valon Totaj ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Gjykatës së Apelit të Kosovës dhe Shkollës së Mesme Ekonomike-Juridike “Hoxhë Kadri Prishtina” në Prishtinë, si akt i themelimit të bashkëpunimit të ndërsjellë, me qëllim të rritjes së njohurive të nxënësve të kësaj shkolle për çështjet juridiko-gjyqësore.
Ky memorandum bashkëpunimi ka për qëllim krijimin e qasjes së lehtë të nxënësve të Shkollës së Mesme Ekonomike-Juridike “Hoxhë Kadri Prishtina” në Prishtinë, në Gjykatën e Apelit, përmes pjesëmarrjes në shqyrtime gjyqësore, organizimin e tryezave të ndryshme, praktikë simuluese gjyqësore e aktivitete të tjera. Po ashtu, nënshkrimi i këtij memorandumi synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe angazhimin qytetar për sistemin e drejtësisë së Kosovës, duke nxitur llogaridhënien e institucioneve përmes monitorimit publik dhe mundësinë e dhënies së kontributit nga qytetarët në politikat dhe praktikat e drejtësisë.
Ndër tjerash, vlerësohet se prezenca e Projektit të USAID-it për Drejtësi gjatë nënshkrimit të këtij memorandumi, tregon mbështetjen dhe angazhimin e tyre ndaj forcimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe rritjes së besimit të publikut karshi gjyqësorit.