Kryetari Totaj në konferencën “Ditët e Gjyqësorit”: Jemi në rrugën e duhur për të krijuar një sistem të drejtësisë më të mirë, më të drejtë dhe më të fortë

Kryetari Totaj në konferencën “Ditët e Gjyqësorit”: Jemi në rrugën e duhur për të krijuar një sistem të drejtësisë më të mirë, më të drejtë dhe më të fortë

Prishtinë, 15 nëntor 2024 – Në shënimin e aktivitetit të organizuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, “Ditët e Gjyqësorit”, kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj, në cilësinë e panelistit ka diskutuar lidhur me transparencën, si pjesë e reformës aktuale në sistemin gjyqësor.

Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, kryetari Totaj ka elaboruar reformat e vazhdueshme në sistemin gjyqësor, të cilat janë zhvilluar për vite radhazi, për ta bërë atë, midis tjerash, të besueshëm, transparent dhe të qasshëm për publikun.

Me rastin e kësaj konference, kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj shpalosi hapat e ndërmarra nga KGJK me mbështetje të partnerëve ndërkombëtarë, drejt transparencës në sistemin gjyqësor, duke i dhënë rëndësi të veçantë publicitetit të veprimtarisë gjyqësore, qasjes së publikut në drejtësi dhe komunikimit me qytetarët e saj, përmes aplikimit të standardeve evropiane.

Transparenca në sistemin gjyqësor u prezantua me zhvillimin e proceseve të rregullta ligjore nga KGJK, përfshirë Strategjinë për Komunikimin e Këshillit Gjyqësor 2022-2024, përmes së cilës është synuar rritja e besimit dhe ndërgjegjësimit të publikut për reformat në gjyqësor, si dhe sigurimi i qasjes së qytetarëve në drejtësi dhe në këtë drejtim, tanimë në prag të finalizimit të saj është Strategjia e Re e Komunikimit, si dhe rregullore të tjera, me qëllim të përmbushjes së standardeve të qasjes më të lehtë të publikut në drejtësi dhe rritjes së besimit të qytetarëve në gjyqësor.

Ndër të tjera, në kuadër të diskutimit, kryetari Totaj vuri në pah një hap të rëndësishëm drejt transparencës, atë të transmetimit live të takimeve të KGJK në platforma online dhe të Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, monitorimin e seancave gjyqësore nga mediat dhe shoqëria civile, funksionalizimin e pajisjeve elektronike për personat me aftësi të veçanta, me qëllim të lehtësimit të qasjes së tyre në gjykata. Po ashtu, potencoi se progres i jashtëzakonshëm është shënuar në publikimin e vendimeve gjyqësore, të cilat janë të qasshme për publikun në ueb faqen e KGJK. Tutje, u diskutua për funksionalizimin e zyrave për informim në sistemin gjyqësor, i cili ka siguruar rritjen e komunikimit proaktiv me publikun, mediat e shoqërinë civile, si dhe ofrimi i qasjes në informacione zyrtare apo në dokumente publike, ka ndikuar në përmirësimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve me publikun në veprimtarinë gjyqësore.

Në kuadër të transparencës në sistemin gjyqësor, kryetari Totaj, ka potencuar çështjen e disiplinës së gjyqtarëve dhe llogaridhënien e tyre, përmes publikimit të vendimeve lidhur me procedurat disiplinore ndaj gjyqtarëve e po ashtu, duke përfshirë edhe takimet e kryetarëve të gjykatave me qytetarët dhe shoqërinë civile, si thellimin e bashkëpunimit me mediat për veprimtarinë gjyqësore.

Kryetari Totaj, diskutimin e përmbylli me thënien e ish-presidentit amerikan, Thomas Jefferson: “Nëse e vërteta dhe e drejta ndriçon më shumë, atëherë edhe le të shkëlqejë më shumë, ngase gabimet dhe padrejtësia janë ato që kalben në errësirë”.