Prishtinë, 5 shkurt 2025 – Gjykata e Apelit e Kosovës, ka publikuar Raportin e punës për vitin 2024, duke prezantuar të dhëna konkrete mbi performancën e saj. Viti 2024, Gjykatën e Apelit e gjeti me 17,036 lëndë të trashëguara, 29,462 lëndë të pranuara, ndërsa 20,979 lëndë të zgjidhura, kështu duke rezultuar me shkallën e efikasitetit prej 71.2%. Në ueb faqen e gjykatës janë publikuar 9,076 vendime gjyqësore, 1,240 seanca të kolegjit të Apelit, si dhe 6 vendime disiplinore, të nxjerra nga kryetari i kësaj gjykate, si autoritet kompetent në trajtimin e ankesave ndaj gjyqtarëve.
Viti 2024, Gjykatën e Apelit e karakterizon me hartimin dhe realizimin e Planit për rishpërndarjen e lëndëve të lëmisë civile, të cilat lëndë i përkasin viteve 2021 – 2023. Ky proces është dizajnuar për të lehtësuar dhe balancuar ngarkesën me lëndë të pazgjidhura, duke siguruar një trajtim më të shpejtë dhe më efektiv të tyre. Procesi i përfundimit (zgjidhjes) së lëndëve civile të vitit 2020-2021 është realizuar me sukses, ndërsa janë zgjidhur rreth 90% e lëndëve të vitit 2022. Po ashtu, janë përfunduar edhe një numër i konsiderueshëm i lëndëve të vitit 2023.
Përkushtimi i kësaj gjykate në rritjen e transparencës dhe qasjes së publikut në drejtësi, prezantohet përmes trajtimit në kohë reale të kërkesave për qasje në informacione e dokumente publike, dhe atë prej 61 kërkesave të aprovuara për qasje në dokumente publike, derisa janë ofruar gjithsejtë 487 përgjigje nga Gjykata e Apelit.
Në kuadër të transparencës së kësaj gjykate, vlen të theksohet se baza të rregullta mujore, janë publikuar raportet e përgjithshme të punës dhe raportet individuale të të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit.
Viti 2024 në Gjykatën e Apelit, shënohet me një sërë aktivitetesh të realizuara nga kryetari i kësaj gjykate, Valon Totaj, duke zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, me qëllim të thellimit të komunikimit dhe forcimit të bashkëpunimit të ndërsjellë. Në vargun e aktiviteteve të rëndësishme, përfshihet pjesëmarrja e kryetarit edhe në konferenca ndërkombëtare e brenda vendit, punëtori të ndryshme, vizita të studentëve e akte të themelimit të bashkëpunimit, siç ishte Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Gjykatës së Apelit të Kosovës dhe Shkollës së Mesme Ekonomike-Juridike “Hoxhë Kadri Prishtina”, i cili ka për qëllim rritjen e njohurive të nxënësve të kësaj shkolle për çështjet juridiko-gjyqësore dhe krijimin e qasjes së lehtë të nxënësve në këtë gjykatë.
Këto të dhëna pasqyrojnë punën e Gjykatës së Apelit, si gjykatë e shkallës së dytë, e cila në vazhdimësi është e angazhuar në rritjen e transparencës, efikasitetit dhe në përmbushjen e misionit të saj kushtetues.