Prishtinë, 25 mars 2025- Kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj, ka marrë pjesë në tryezën e organizuar nga Këshilli i Evropës, me temën ”Konsistenca e Jurisprudencës dhe Harmonizimi i Praktikës Gjyqësore”.
Në cilësinë e panelistit, kryetari Totaj diskutoi lidhur me rolin e gjykatave në përgjithësi dhe atë të Gjykatës së Apelit në veçanti, ku diskutimi përfshiu rolin e gjykatave të të gjitha juridiksioneve, prokurorisë dhe avokatëve në ruajtjen e konsistencës së jurisprudencës dhe harmonizimin e praktikës gjyqësore.
Kjo tryezë e rrumbullakët bashkoi udhëheqës të institucioneve të drejtësisë vendore e ndërkombëtare, përfaqësues të Këshillit të Evropës, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile, duke ofruar mundësinë për të diskutuar rreth zbatimit të standardeve evropiane të të drejtave të njeriut nga ana e Gjykatës Kushtetuese , duke siguruar qasje të barabartë për qytetarët dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.