Vërtetohet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ndaj të pandehurve A.P, H.G dhe G.Z

Vërtetohet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ndaj të pandehurve A.P, H.G dhe G.Z

Prishtinë, 17 gusht 2023, Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamentit për Krime të Rënda, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve A.P, H.G, dhe G.Z, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda PPRKR.nr.190/2023, të datës 06.08.2023, e ka vërtetuar.

 Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PPRKR.nr.190/2023, të datës 06.08.2023, të pandehurve A.P, H.G dhe G.Z i ’u ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri A.P ka kryer veprat penale vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi l.5 të KPRK, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK, përdorimi armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 367 paragrafi 2 të KPRKK dhe shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 të KPRK, i pandehuri H.G për veprat penale pjesëmarrje në rrahje nga neni 187 të KPRK dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi l të KPRK si dhe i pandehuri G.Z për shkak të veprës penale pjesëmarrje në rrahje nga neni 187 të KPRK.

Gjykata e Apelit me aktvendimin PN1.DKR.nr.876/2023, të datës 16.8.2023, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve A.P, H.G dhe G.Z, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda PPRKR.nr.190/2023, të datës 06.08.2023, e ka vërtetuar. Në arsyetim të aktvendimit Gjykata e Apelit ka theksuar se gjykata e shkallës së parë drejtë ka arsyetuar se nga shkresat e lëndës respektivisht nga provat e mbledhura deri me tani ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen dhe po ashtu nga provat e mbledhura deri me tani janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 184 par.1 nen par.1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPRK-së,  që janë kushte qenësor për caktimin e masës së paraburgimit.