Prishtinë – 14 shtator 2023, Gjyqtarët Tonka Berishaj, Gani Avdiu dhe Hasan Shala arrijnë moshën e pensionimit. Gjyqtarja Tonka Berishaj ka punuar gjyqtare në Departamentin për Krime të Rënda, ndërsa gjyqtarët Gani Avdiu dhe Hasan Shala kanë punuar gjyqtar Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil.
Në mbledhjen e kolegjiumit të gjyqtarëve, kryetari i Gjykatës së Apelit Valon Totaj, ka ndarë mirënjohje falënderimi për gjyqtarët të cilët kanë arritur moshën e pensionimit. Me këtë rast, kryetari Totaj, ka falënderuar gjyqtaren Tonka Berishaj dhe gjyqtarët Gani Avdiu e Hasan Shala për kontributin e tyre që kanë dhënë në sistemin e drejtësisë në vend, duke ju uruar shëndet dhe mbarësi në jetë.
Gjyqtarja Tonka Berishaj, ka diplomuar në vitin 1981 në Fakultetin Juridik, Universiteti i Prishtinës ndërsa provimin e Jurisprudencës e kreu në vitin 2002. Gjatë vitit 1983 deri në vitin 1984, ka qenë praktikante në Gjykatën Themelore të Punës së Bashkuar në Prishtinë, për tu bërë pastaj bashkëpunëtore profesionale në këtë institucion për periudhën nga viti 1985 deri në vitin 1991. Gjithashtu në vitin 2000, Tonka Berishaj u emërua gjyqtare në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Prishtinë kurse nga viti 2003 deri në vitin 2010, shërbeu si gjyqtare në Gjykatën Komunale në Prishtinë. Më pas për dy vite ishte gjyqtare në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ndërsa nga 1 janari i vitit 2013 është gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Kosovë – Departamenti për Krime të Rënda. Po ashtu nga data 27.07.2015, gjyqtarja Tonka Berishaj u emërua ushtruese e detyrës së Kryetarit të Gjykatës së Apelit, pozitë te cilën e mbajti deri me 16.01.2017.
Gjyqtari Gani Avdiu, ka diplomuar në vitin 1982 në Fakultetin Juridik, Universiteti i Prishtinës ndërsa provimin e Jurisprudencës e kreu në vitin 1987. Nga viti 1983 deri ne vitin 1986 ishte referent për ekzekutime në Kuvendin Komunal në Skenderaj. Në vitin 1986 u emërua gjyqtar në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Skenderaj dhe aty punoi dy vjet, dhe më pas u emërua gjyqtar në Gjykatën Komunal të këtij qyteti, funksion të cilin e ushtroi deri në vitin 1990. Nga viti 2000 deri ne vitin 2007, gjyqtari Gani Avdiu u emërua serish gjyqtar në të njëjtën gjykatë. Gjithashtu prej vitit 2007 deri në vitin 2010, shërbeu në Gjykatën Komunale në Mitrovicë, ndërsa në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë nga viti 2010 deri ne vitin 2012, dhe nga 1 janari i vitit 2013, është gjyqtar në Gjykatën e Apelit.
Gjyqtari Hasan Shala ka ushtruar pozitën e kryetarit të Gjykatës së Apelit nga data 13.01.2017- deri me datën 08.08.2021. Para së të emërohej në këtë pozitë, gjyqtari Hasan Shala ka qenë gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm-Divizioni Civil. Gjyqtari Hasan Shala ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1988 ndërsa provimin e Jurisprudencës, e kreu dy vite më vonë, pasi mbaroi praktiken profesionale në Gjykatën e Qarkut në Pejë. Në vitin 1999 u emërua gjyqtar për kundërvajtje në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Pejë dhe një vit më vonë u emërua gjyqtar në Gjykatën Komunale në Pejë. Gjyqtari Hasan Shala pasi ushtroi 5 vite këtë detyrë, në vitin 2005 u bë gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Pejë, ndërsa nga 1 janari i viti 2013, është gjyqtar në Gjykatën e Apelit.