Prishtinë, 10 Korrik 2024, Gjykata e Apelit e Kosovës publikon Raportin e punës për gjashtëmujorin e parë (Janar – Qershor) të vitit 2024. Në kuadër të këtij Raporti, vlen të theksohet se gjatë kësaj periudhe të punës në Gjykatën e Apelit janë pranuar 14,295 lëndë, ndërsa janë zgjidhur 9,624 prej tyre, kështu duke arritur shkallën e efikasitetit prej 67,3%. Në ueb faqen e gjykatës janë publikuara 3,292 aktgjykime dhe aktvendime të përpunuara, ku prej tyre 2,526 janë nga lëmia civile, 230 nga lëmia penale e përgjithshme, 237 vendime nga Departamenti për Krime të Rënda, 288 nga Departamenti për Çështje Administrative dhe 11 vendime nga Departamenti Special, duke përfshirë këtu edhe 3 vendime disiplinore të nxjerra nga zyra e Kryetarit.
Në një përpjekje të paprecedentë për të përmirësuar efikasitetin dhe transparencën e sistemit gjyqësor në Republikën e Kosovës, Gjykata e Apelit për herë të parë kahartuar dhe realizuar Planin për rishpërndarjen e lëndëve të lëmisë civile, të cilat i përkasin viteve 2021 – 2022. Ky proces është dizajnuar për të lehtësuar dhe balancuar ngarkesën me lëndë të pazgjidhura, duke siguruar një trajtim më të shpejtë dhe më efektiv të tyre. Plani përmban hapat e nevojshëm, metodat e realizimit, afatet kohore dhe objektivat specifike, duke vendosur kështu një standard të ri dhe praktikë të mirë në administrimin e drejtësisë. Vlenë të theksohet se dy fazat e para janë përfunduar me sukses dhe brenda afateve rekorde kohore, ndërsa sa i përket fazës së tretë, një pjesë pritet të përfundoj deri në fund të muajit korrik, ndërsa pjesa tjetër deri në fund të vitit 2024. Realizimi i këtij plani jo vetëm që përmirëson administrimin e lëndëve të vjetra, por gjithashtu shërben si një model për gjykatat e tjera në vend dhe më gjerë, duke treguar përkushtimin tonë për të avancuar drejtësinë dhe për të siguruar një sistem gjyqësor që funksionon në mënyrë të duhur.
Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2024, Gjykata e Apelit e Kosovës ka pranuar dhe aprovuar 29 kërkesa për qasje në dokumente publike, duke demonstruar angazhimin për transparencë dhe qasje të lirë në informacion. Gjithashtu, janë dhënë rreth 219 përgjigje për kërkesa për qasje në informata, duke përmbushur me përpikëri detyrimet për informimin publik.
Në kuadër të aktivitetit dhe performancës së gjykatës, Kryetari i Gjykatës së Apelit, z. Valon Totaj, gjatë periudhës Janar – Qershor 2024, ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe delegacione të huaja. Këto takime kanë synuar forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për arritjen e objektivave strategjike të gjykatës. I pari i Apelit gjithashtu ka marrë pjesë në konferenca vendore dhe ndërkombëtare me qëllim të promovimit të punës së sistemit gjyqësor në Republikën e Kosovës, e veçanërisht atë të Gjykatës së Apelit të Kosovës.
Ky raport përmban të dhëna të rëndësishme që reflektojnë punën dhe qëllimin e përbashkët si gjykatë e shkallës së dytë, e cila manifesohet me nivel të lartë të transparenës, efikasitetit dhe pavarësisë, në mënyrë që të ruhet besimi i publikut, duke përmbushur efektivisht rolin tonë në vënien e drejtësisë dhe sundimin e ligjit.