Prishtinë, 11 korrik 2024 – Gjykata e Apelit e Kosovës, ka ndjekur me shqetësim publikimin e lajmit të datës 10 korrik 2024, nga portali “Insajderi”, lidhur me deklaratat e avokatit Ahmet Tahiri nga Prishtina, në lidhje me pretendimin për kinse “dënimin e një kosovari pa aktakuzë”, nga kolegji gjykues i Gjykatës së Apelit, i përbërë prej gjyqtarëve Bashkim Hyseni – kryetar i kolegjit, dhe Burim Ademi e Mehmet Ndrecaj – anëtarë të kolegjit.
Gjykata e Apelit e Kosovës fillimisht dëshiron të theksojë se çdo vendim gjyqësor në këtë gjykatë merret në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe në provat e paraqitura gjatë procesit gjyqësor. Çdo pretendim për shkelje të procedurave trajtohet me seriozitetin maksimal dhe në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut nga ana e kolegjeve respektive. Edhe pse gabimet në punë mund të ndodhin dhe janë pjesë normale e vetë procesit të punës, gjithsesi në rastin konkret dhe për çështjen e cila është objekt i lajmit, theksojmë se pretendimet lidhur me kinse dënimin e të akuzuarit A.Z. për veprën penale të përfshirë në amnisti, janë të pabazuara dhe nuk korrespondojnë me faktet e dosjes gjyqësore. Kjo ngase me shiqim në vetë aktgjykimin e cituar dhe të bashkangjitur nga ana e portalit në fjalë, fare lehtë dhe thjeshtë mund të konkludohet se i akuzuari në fjalë, nga ana e Gjykatës së Apelit në fakt është gjykuar dhe dënuar për veprën penale nga neni 328 par. I të KPPK (që ka të bëjë me përdorimin e armës…), e jo me paragrafin II të të njëjtit nen (që ka të bëjë me mbajtjen në pronësi dhe posedim…), e cila vepër penale në fakt është e veçantë dhe si e tillë edhe ka qenë e përfshirë me Ligjin për Amnistinë të përmendur. Ky fakt provohet fare lehtë, vetëm po qese do lexohej me vëmendje vendimi i Gjykatës së Apelit i cili edhe është bashkangjitur në lajm nga portali në fjalë. Për më tepër, kuptohet edhe më lehtë po qese vetëm do lexohej edhe neni 328 i KPPK dhe mënyra se si është titulluar ky nen me përmbajtjen e tij. Duke qenë se me aktet ligjore në fuqi, nuk lejohet komentimi i vendimeve gjyqësore, nuk e shohim të arsyeshme që të lëshohemi në detaje të tjera të vendimit në fjalë. Por marrë për bazë faktin se në lajmin e portalit të përmendur janë paraqitur edhe emrat e gjyqtarëve, Gjykata e Apelit e ka parë të arsyeshme që të bëjë këtë reagim duke dhënë sqarimet e nevojshme si më lartë, në mënyrë që qytetarët e Republikës së Kosovës të jenë të informuar drejtë dhe në mënyrë objektive për këtë çështje, krejt kjo ngase me publikimin e lajmit në fjalë me titull bombastik në portalin “Insjader”, me apo pa qëllim jo vetëm që shtrembërohen faktet dhe e vërteta e këtij rasti, por edhe te qytetari i Republikës së Kosovës, krijohet mundësia për një perceptim të gabuar dhe jo të vërtetë të çështjes në fjalë, duke ndikuar kështu edhe në vetë imazhin e sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës. Raste të tilla, për fat të keq nuk janë të izoluara dhe sikur kanë qëllim që të zbehin punën dhe angazhimin e gjyqtarëve të kësaj gjykate dhe jo vetëm, në përmirësimin e sistemit gjyqësor, përmirësimin e shërbimeve gjyqësore si dhe avancimin e lirive dhe të drejtave elementare të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të garantuara me Kushtetutën e vendit tonë.
Gjykata e Apelit gjithmonë mirëpret kritikat konstruktive dhe sikurse edhe deri më tani, është e hapur për çfarëdo pyetje apo çështje në interes të drejtësisë. Megjithatë, duhet thënë se deklaratat publike që dëmtojnë integritetin e gjyqësorit dhe krijojnë konfuzion në publik, janë të papranueshme dhe nuk kontribuojnë në përmirësimin e sistemit të drejtësisë.
Gjykata e Apelit mbetet e përkushtuar për të siguruar një sistem drejtësie sa më të drejtë, transparent dhe efikas për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, në mënyrë të barabartë, ndërsa me qëllim të njoftimit të drejtë dhe të plotë të publikut, fton mediat në bashkëpunim sidomos në rastet kur çështje të lajmit përbëjnë vet vendimet gjyqësore.