Në ditën e dytë të “Ditëve të Gjyqësorit”, Kryetari Totaj pjesë e panelit, me diskutim mbi transparencën në sistemin gjyqësor

Në ditën e dytë të “Ditëve të Gjyqësorit”, Kryetari Totaj pjesë e panelit, me diskutim mbi transparencën në sistemin gjyqësor

Prishtinë, 29 nëntor 2024 – Kryetari i Gjykatës së Apelit të Kosovës, Valon Totaj ka marrë pjesë në panelin e diskutimit mbi forcimin e sistemit gjyqësor, i cili u zhvillua në ditën e dytë të “Ditëve të Gjyqësorit”, me fokus në çështjet e efikasitetit, administrimit dhe transparencës në sistemin gjyqësor.

Në këtë panel, kryetari Totaj ka diskutuar lidhur me transparencën, efikasitetin dhe llogaridhënien, si shtylla kryesore në të cilin funksionin sistemi gjyqësor i vendit.

Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, ka prezantuar hapat konkrete të ndërmarra nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës gjatë vitit 2024, drejt përmirësimit të qasjes dhe informimit të publikut, përfshirë miratimin e akteve ligjore dhe nën ligjore, zbatimin e praktikave të avancuara, si dhe zhvillimin e proceseve të mirëstrukturuara ligjore, duke vënë theks të veçantë në publicitetin e veprimtarisë gjyqësore, qasjen e publikut në drejtësi dhe përmirësimin e komunikimit me qytetarët.

Ndër të tjera, kryetari Totaj ka prezantuar një hap të rëndësishëm të bërë drejt rritjes së transparencës dhe qasjes në drejtësi, atë të miratimit për plotësim-ndryshimin e Udhëzuesit për publikimin e aktgjykimeve dhe aktvendimeve gjyqësore, si dhe ka njoftuar se deri në këtë periudhë të këtij viti janë publikuar gjithsej 46.237 vendime gjyqësore në nivel vendi, e që krahasuar me vitin paraprak ka shënuar rritje të konsiderueshme prej më shumë se 6000 vendime.

Në kuadër të këtij diskutimi, është vënë në pah angazhimi i sistemit të drejtësisë për transparencë e llogaridhënie, në këtë drejtim duke marrë për shembull Gjykatën e Apelit, ku përveç publikimit të raporteve të rregullta vjetore, tremujore, publikon çdo muaj të dhëna të detajuara mbi performancën individuale të gjyqtarëve, të cilat janë të disponueshme në uebfaqen zyrtare të gjykatës dhe në platformën e saj në facebook. Po ashtu, i është dhënë theks i veçantë finalizimit të krijimit të buletinit mujor të KGJK lidhur me informimin e publikut për aktivitetet e gjyqësorit, e çështje të tjera.

Krejt në fund, kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj u bëri thirrje të gjithë gjyqtarëve për angazhim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm në mënyrë që sistemi gjyqësor të jetë i hapur ndaj publikut, sepse vetëm përmes transparencës mund të ruhet integriteti i sistemit gjyqësor, të forcohet besimi i qytetarëve në të dhe të sigurohet që çdo vendim të jetë i bazuar në parimet e barazisë dhe të drejtësisë universale.