Ankesa kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë
Kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë palët mund të bëjnë ankesë në Gjykatën e Apelit në Prishtinë brenda 15 ditësh nga dita e dorëzimit të kopjes së aktgjykimit. Ankesa e personit të autorizuar e paraqitur brenda afatit të caktuar e pezullon ekzekutimin e aktgjykimit.
Gjykata e Apelit mbasi shqyrton ankesën, mund të vendosë:
- E hedh ankesën si të palejueshme;
- E refuzon ankesën si të pabazë dhe e vërteton aktgjykimin e gjykatës themelore;
- E anulon aktgjykimin e gjykatës themelore dhe e kthen çështjen në rigjykim dhe rivendosje.
Ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit
Ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit mund të paraqitet në Gjykatën Supreme të Kosovës në rastin kur:
- Gjykata e Apelit e ndryshon aktgjykimin lirues të gjykatës themelore dhe e zëvendëson me aktgjykim dënues për të akuzuarin ose
- Kur me aktgjykimin e Gjykatës Themelore, ose Gjykatës së Apelit, i është shqiptuar dënimi me burg të përjetshëm.
Faza e procedurës sipas mjeteve të jashtëzakonshme
Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, palët mund të parashtrojnë mjetet e jashtëzakonshme në Gjykatën Supreme të Kosovës.
Mjetet e jashtëzakonshme në procedurë penale janë:
- rishikimi e procedurës penale;
- kërkesa për zbutjen e jashtëzakonshme të dënimit;
- kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë.