MBETET NË FUQI MASA E PARABURGIMIT PËR PESË TË DYSHUAR

MBETET  NË FUQI MASA E PARABURGIMIT PËR PESË TË DYSHUAR

Kolegji penal prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit, ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej një muaji, ndaj të dyshuarve P.I., Y.H.,U.H.,A.K. dhe A.L..

Prishtinë, me 22.10.2015

Kështu,  Apeli ka refuzuar  si të pabazuara, ankesat  e mbrojtësve të pandehurve, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, PPR.nr.572/2015, të datës 15.10.2015.

Personat në fjalë po dyshohen  nga ana e prokurorisë, se  në bashkëkryerje, kanë  kryer veprën   penale : “Pjesëmarrje në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizëm”, nga neni 412, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Arsyet

Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, pretendimet ankimore janë të pa bazuara sepse nga shkresat e lëndës dhe provat e mbledhura gjerë me tani, rezulton dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale, për të cilën është duke u zbatuar procedura penale, dhe më këtë është përmbushur kushti esencial për caktimin e paraburgimit, konform nenit 187 paragrafi 1, nënë paragrafi 1.1 i Kodit të Procedurës Penale.

Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës së parë drejtë ka vepruar, kur të pandehurve ua ka caktuar paraburgimin në përputhje me dispozitën e nenit 187 paragrafi 1.nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.3  të të njëjtit kod, ngase pesha e veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer ajo, fakti se të pandehurit në drejtim të zyrtarëve policor dhe objektit policor Qendra në Prishtinë, kanë kryer veprime të dhunshme huligane, duke hedhur gurë të fortë, kocka betoni, ashtu që kanë thyer xhamat e hyrjes së stacionit, xhamat e zyrave të katit përdhes dhe katit të parë. Kanë dëmtuar murin e përparmë të objektit dhe tetë vetura, njërës duke i venë zjarrin. Duke e pasur parasysh se me veprimet e të dyshuarve është rrezikuar fillimisht jeta e qytetarëve si dhe zyrtarëve policor, të cilët kanë pësuar lëndime trupore me hedhjen e gjësendeve në drejtim të tyre. E po ashtu duke pasur parasysh edhe veprimet personale të penduarve. Njëri nga ta (P.I.) , nga evidencat e policisë del së është i involvuar në dy vepra penale, po të kësaj natyre, kurse një tjetër (Y.H.), evidentohet se është i përfshirë në gjashtë vepra penale, njëra prej tyre thirrje në rezistencë.

Prandaj të gjitha këto rrethana tregojnë rrezikun dhe japin arsye të besuara se më lënien e tyre në liri do të mund të përsërisin veprën e njëjtë penale, apo të kryejnë vepra të ngjashme.

Ndërsa sa i përket rrezikut të ikjes së të pandehurve, Gjykata e Apelit konstaton se në këtë pikë vendimi i gjykatës së shkallës së parë, është i pabazuar, për faktin se nuk përmban asnjë rrethanë  objektive, konkrete, që do të tregonte rrezikun e ikjes.

Gjykata e Apelit është në shërbim të sundimit të ligjit, duke ndarë drejtësinë në mënyrë të pa anshme, efikase dhe të vazhdueshme.