Prishtinë, 17.11.2022 – Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti i Përgjithshëm me aktvendimin PN1DP.nr.1561/22 të datës 11.11.2022, ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të pandehurave A.P., A.R. dhe R.K, ndërsa e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë.
Me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm DP.PP.nr.336/2022 të datës 03.11.2022, është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaj ndaj të pandehurave A.P., A.R. dhe R.K., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Sulm nga neni 184 paragrafi 3 nën paragrafi 3.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, e cila masë do të zgjasë deri me datë 01.12.2022.
Sipas kolegjit të Apelit, pretendimet ankimore janë të pabazuara me arsyetimin se aktvendimi ankimor është i drejtë dhe ligjor dhe gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar nga neni 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 të KPP-së, se të pandehurat kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkohen. Në rastin konkret, masat tjera të parapara me nenin 173 të KPP-së, do të ishin të pamjaftueshme për sigurimin e të pandehurave në procedurë, pengimin e përsëritjes së veprës penale dhe zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.