Prishtinë – 20.01.2023, Kryetari i Gjykatës së Apelit, z. Valon Totaj, ka mbajtur konferencën vjetore me gazetarë, ku ka prezantuar sfidat dhe sukseset, të cilat e kanë përcjellë këtë gjykatë gjatë vitit 2022.
Kryetari Totaj, theksoi se Viti 2022 për Gjykatën e Apelit ishte një vit me shumë sfida dhe vështirësi, duke filluar nga mungesat e burimeve njerëzore, kushteve jo adekuate të punës, lëvizjet e stafit, fillimit të shpërndarjes së lëndëve përmes Sistemit të Menaxhimit Informativ të Lëndëve – SMIL, si dhe dorëheqjet e gjyqtarëve dhe stafit administrativ nga komuniteti serb në Divizionin e Apelit në Mitrovicë, gjë që ka paraqitur vështërsi në punën e gjyqtarëve por edhe të stafit tjetër të kësaj gjykate.
Megjithatë, pavarësisht sfidave të lartcekura me të cilat është përballur Gjykata e Apelit, kryetari Totaj theksoi se viti 2022, është përmbyllur në mënyrë të suksesshme si në kuptimin efikasitetit, llogaridhënies por edhe të transparencës së punës në këtë gjykatë. Po ashtu në Gjykatën e Apelit gjatë vitit 2022, kanë filluar punën 13 gjyqtar të rinj, ku 3 prej tyre kanë kaluar në Gjykatën Komerciale dhe 25 bashkëpunëtor profesional, ndërsa në fund vit është përzgjedhur edhe zv. administratori i gjykatës.
Kryetari Totaj theksoi se gjatë vitit 2022, Gjykata e Apelit i ka zgjidhur gjithësej 17,363 lëndë, apo 1,276 lëndë më shumë se në vitin 2021, me një shkallë të efikasitetit prej 92%, marrë për bazë raportin e lëndëve të ardhura dhe të përfunduara. Ky sukses është arritur për shkak të angazhimit maksimal të të gjithë gjyqtarëve, mbështetjes së madhe nga stafi administrativ i gjykatës si dhe falë një organizimi më të mirë të punës. Kujtojmë se vitin 2022 e kemi nisur me 15,064 lëndë të pa zgjidhura, ndërsa gjatë tërë vitit kemi pranuar edhe 18,973, që i bie se kemi pasur në punë 34,037 lëndë. Me themelimin e Gjykatës Komerciale 1,292 lëndë janë bartur në këtë gjykatë, e cila tani është kompetente për t’i gjykuar ato. Përkundër krejt kësaj në Gjykatën e Apelit vazhdojnë të mbesin në punë edhe 15,382 lëndë.
Tutje, kryetari Totaj theksoi se Gjykata e Apelit, gjatë vitit 2022, për çdo muaj në ueb faqe si dhe në rrjetin social facebook, publikon raportin mujor të përgjithshëm të punës së gjykatës si dhe raportet individuale të të gjithë gjyqtarëve. Po ashtu vlen të theksohet se në këtë vit për herë të parë të gjithë bashkëpunëtorët profesional për punën e tyre raportojnë direkt tek gjyqtari me të cilin punon si dhe te kryetari i gjykatës. Gjithashtu Gjykata e Apelit gjatë vitit 2022, ka publikuar në ueb faqe 7,497 aktgjykime dhe aktvendime të përpunuara. Gjithashtu, për herë të parë në ueb faqe janë publikuar edhe 8 vendime të kryetarit, si autoritet kompetent për të vendosur lidhur me aprovimin apo refuzimin e ankesave disiplinore. Ndërsa është bërë përditësimi i rregullt dhe i shpejt i ueb faqes së gjykatës në gjuhen shqipe si dhe kemi filluar edhe me përkthimin e ueb faqes në gjuhën serbe.
Sa i përket objektivave për vitin 2023, kryetari Totaj tha se objektiv i yni kryesor është zvogëlimi i lëndëve të pa përfunduara dhe azhurimi sa më i shpejtë i tyre, sidomos në lëmine civile. Objektiv tjetër kemi edhe rritjen e cilësisë dhe harmonizimin e praktikës gjyqësore. Presim që gjatë vitit 2023, në Gjykatën e Apelit të fillojnë punën edhe 5 gjyqtarë të rinj pasi që të njëjtit janë në procedurën e avancimit si dhe 4 bashkëpunëtor të rinj.
Në fund kryetari Totaj, shprehi falenderim për Këshillin Gjyqësor të Kosovës KGJK, i cili në agjendën e tij të punës dhe të përmbushjes së objektivave të tij, e ka përkrahjen e Gjykatës së Apelit në të gjitha drejtimet dhe kërkesat të cilat derivojnë nga ne dhe kjo përkrahje deri më tani është manifestuar pa asnjë hezitim, qoftë përmes shtimit të numrit të gjyqtarëve, shtimit të bashkëpunëtorëve profesional, stafit tjetër si dhe masave urgjente, brenda tagrit dhe kapaciteteve të tyre.