Prishtinë, 13 shkurt 2023 – Gjykata e Apelit – Departamenti për Çështje Administrative, me aktvendimin AA.nr.744/2022, të datës 9 shkurt 2023, i ka refuzuar ankesat e paditësve F.D., V.D., V.H., M.K., Q.S., G.P., B.B., G.G., ndërsa i ka vërtetuar aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative A.nr.529/2020, të datës 24 dhe 28 qershor 2022, me të cilat është refuzuar si i pabazuar propozimi i paditësve për dhënien e aktgjykimit plotësues.
Objekt shqyrtimi në këtë procedurë ka qenë shqyrtimi i ankesës vetëm lidhur me propozimin e paditësve të lartpërmendur për dhënien e aktgjykimit plotësues, përmes të cilit propozim paditësit kanë kërkuar që të detyrohet e paditura, të vazhdojë me procesin e emërimit të kandidatëve për noter.
Përndryshe duhet sqaruar se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, si gjykatë e shkallës së parë, me aktgjykimin e saj A.nr.529/2020, të datës 1 shkurt 2022, e kishte aprovuar në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e paditësve Q.S., etj. dhe e kishte anuluar vendimin e të paditurës – Ministria e Drejtësisë, nr.15/2020, nr. prot. 01-173, të datës 24 shkurt 2020, si të kundërligjshëm, njëherit duke vërtetuar se procesi i provimit për noterinë i shpallur me datën 19 prill 2019, nga e paditura Ministria e Drejtësisë, është i ligjshëm dhe i drejtë.