Prishtinë – 11 korrik 2023, Gjyqtarja Makifete Saliuka arrin moshën e pensionimit. Gjyqtarja Saliuka ka punuar gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Kosovës – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Civil.
Në mbledhjen e kolegjiumit të gjyqtarëve, kryetari i Gjykatës së Apelit Valon Totaj, ka ndarë mirënjohje falënderimi për gjyqtaren Makifete Saliuka. Me këtë rast, kryetari Totaj, ka falënderuar gjyqtaren Saliuka për kontributin e saj që ka dhënë në sistemin e drejtësisë në vend, duke i uruar shëndet dhe mbarësi në jetë.
Gjyqtarja Saliuka ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1984. Në vitin 1986, mbaroi provimin e jurisprudencës ndërsa në vitin 1984 deri në vitin 1985, ishte zyrtare ligjore në Ndërmarrjen “Metaliku-Trepçë” në Gjakovë. Në vitet 1985-1987, punoi si bashkëpunëtore profesionale në Gjykatën Themelore të Punës se Bashkuar në Prishtinë, kurse nga vitit 1987 deri në vitin 1991, u emërua gjyqtare në këtë institucion. Gjyqtarja Saliuka për disa muaj gjatë vitit 1999, ushtroi edhe detyrën e zyrtares ligjore në OJQ ADRA, në Prishtinë. Në vitin 2000, u emërua gjyqtare në Gjykatën Komunale në Prishtinë, pozitë te cilën e la ne vitin 2010, për ta marrë detyrën e kryetares se këtij institucion ku udhëhoqi deri në fund të vitit 2012. Gjithashtu nga 1 janari i viti 2013 ishte gjyqtar ne Gjykatën e Apelit. Gjyqtarja Saliuka përveç gjuhës amtare (shqip) flet edhe serbisht dhe anglisht.