Sistemi gjyqësor i Kosovës ekziston për t’i shërbyer interesit të publikut. Sistemi gjyqësor i Kosovës i përket të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht origjinës së tyre kombëtare, etnisë apo gjinisë.
Gjykata e Apelit e Kosovës vepron si gjykatë e shkallës së dytë, që do të thotë se i gjykon lëndët e pranuara pas ankesës nga ndonjëra prej shtatë gjykatave themelore.
Përveç kësaj, kjo gjykatë vendos lidhur me konfliktin e kompetencës midis gjykatave themelore dhe çështje tjera të përcaktuara me ligj.
Gjykata e Apelit shqyrton dhe gjykon lëndët në kolegj prej tre (3) gjyqtarëve profesionistë, përveç nëse me ligj parashihet ndryshe.
Gjykata e Apelit gjendet në Prishtinë dhe ka juridiksion territorial në tërë Republikën e Kosovës. Nga 2 shkurti i vitit 2015, veprimtarinë e vet e ushtron në Pallatin e Drejtësisë në lagjen Prishtina e re.
Për të mundësuar një proces sa më efikas, shqyrtohen nga departamentet e specializuara të Gjykatës së Apelit:
-Departamenti i Përgjithshëm;
-Departamenti për Krime të Rënda;
-Departamenti për Çështje Administrative;
-Departamenti për të Mitur; -Departamenti Special.
Në kuadër të Departamentit të Përgjithshëm funksionojnë këto divizione :
Divizioni për çështje civile;
Divizioni për çështje penale;
Divizioni për kundërvajtje.
Në nëntor të vitit 2017, ka nisur së funksionuari Divizioni i Gjykatës së Apelit në Mitrovicë. Aktualisht këtë divizion e përbëjnë dy (2) gjyqtarë.
Puna në administratë është e organizuar përmes Zyrës së Administratorit, Zyrës së Zëvendës administratorit, Zyrës për Mbështetje Juridike, Zyrës për Shërbime të Përbashkëta dhe Zyrës për Regjistrim dhe Menaxhim të Lëndëve.