Bashkim Hyseni
Gjyqtar - Gjykata e Apelit
Bashkim Hyseni është gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit, që nga 1 janari i vitit 2021. Hyseni, ka diplomuar në Universitetin e Prishtinës në vitin 2002. Provimin e jurisprudencës e përfundoi në vitin 2004. Ndërkaq, provimin pranues për gjyqtar e ka kryer në vitin 2005. Studimet postdiplomike i ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin Juridik-Drejtimi Penal, si dhe studimet Master në të Drejtën Amerikane në Fakultetin Juridik, në Universitetin Wake Forest në Karolinën e Veriut - SHBA. Nga gushti i vitit 2002 deri në gusht të vitit 2003, ka qenë praktikant në Gjykatën Komunale në Ferizaj, ndërsa për dy vitet e ardhshme punoi si oficer në Shërbimin Doganor. Punës në gjykatë iu kthye në shkurt të vitit 2005 si bashkëpunëtor profesional për një vit. Nga viti 2006 Hyseni u emërua gjyqtar në Gjykatën Komunale në Ferizaj deri në vitin 2010, kur dhe u zgjodh kryetar i kësaj gjykate. Me reformimin e strukturës së sistemit gjyqësor, Hyseni më 1 janar 2013 u emërua në detyrën e kryetarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, detyrë të cilën e ushtroi deri më 01.01.2021. Gjithashtu, në dhjetor të vitit 2017, gjyqtari Hyseni është zgjedhur kryesues i Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve.