Gjykata e Apelit pasi shqyrtoi me kujdes pretendimet ankimore dhe i vlerësoi shkresat e lendes, gjeti se gjykata e shkallës së parë, e ka bërë vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe me këtë gabimisht e ka shpallur fajtor të akuzuarin për veprën penale për të cilën është akuzua.
Prishtinë, 17.01.2020 – Departamenti Special i Gjykatës së Apelit, e ka liruar nga akuza të akuzuarin A.M. Ky i fundit, muaj më parë, ishte gjetur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për çka ishte dënuar më një vit burgim. Kjo ngase gjykata e shkalles së parë kishte konstatuar se i pandehuri në vitin 2014, në cilësinë e personit zyrtar, përkatësisht Drejtorit/Kryesuesit të Departamentit Ligjor dhe Licencim të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave (ARH), në emër të institucionit të lartcekur, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me dashje direkte, ka lëshuar vendimin me të cilën ka revokuar në mënyrë të kundërligjshme licencën për transport hekurudhor të mallrave të ndërmarrjes “Railtrans” L.L.C. me seli në Prishtinë, të cilën në emër të ARH-së, e kishte lëshuar vet i pandehuri, e ku si pasoj i sjell përfitim operatorit të vetëm publik dhe monopolist “Trainkos”, dhe njëkohësisht i shkakton dëm material të dëmtuarës kompanisë “Railtrans” në vlerë rreth 1.2 milion euro.
Gjykata e Apelit pasi shqyrtoi me kujdes pretendimet ankimore dhe i vlerësoi shkresat e lendes, gjeti se gjykata e shkallës së parë, e ka bërë vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe me këtë gabimisht e ka shpallur fajtor të akuzuarin për veprën penale për të cilën është akuzuar, për shkak se provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk e dëshmojnë se i akuzuari ka kryer veprën për të cilën është akuzuar. Gjykata e Apelit konstaton se i akuzuari ka vepruar në përputhje me autorizimet e tij sipas Ligjit për Hekurudhat dhe akteve tjera nënligjore të ARH-së, nuk i ka tejkaluar autorizimet apo detyrat zyrtare dhe nuk ka pasur prova që e kanë dëshmuar se i njëjti kishte për qëllim dëmtimin e Kompanisë Railtrans, apo përfitimin e Kompanisë Publike Trainkos.