Gjykata e Apelit gjeti se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, se gjendja faktike nuk është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë, e po ashtu se është shkelur edhe ligji penal.
Prishtinë, 21.07.2020 – Gjykata e Apelit ka vendosur në çështjen penale kundër të pandehurve A.Ll., S.R., R.S., H.H, B.K., R.T., B.L dhe M.J. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 30.04.2020, është anuluar dhe çështja i është kthyer gjykatës së shkallës së parë në rivendosje, për tu proceduar nga shqyrtimi fillestar.
Departamenti Special i Gjykatës së Apelit, vendosi që të pandehurit A.Ll. dhe M. J. të mbeten nën masën e paraburgimit, deri sa gjykata e shkallës së parë në rigjykim të marrë vendim tjetër, ndërsa të pandehurit S.R., t’i ndërpritet menjëherë masa e paraburgimit, dhe t’i caktohet masa e paraqitjes në stacion policor.
Gjykata e Apelit gjeti se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, se gjendja faktike nuk është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë, e po ashtu se është shkelur edhe ligji penal.
A.Ll. muaj më parë, ishte shpallur fajtor nga ana e gjykatës së shkallës së parë për veprat penale ”Hakmarrja në ndihmë”, “Sulm Seksual“ dhe ”Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, vepra këto të sanksionuara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), për çka është gjykuar më 12 vjet burgim. S. R., R. S., H. H. dhe B. K., ishin shpallur fajtor për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, dhe janë dënuar, S.R. me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 5 viteve, R.S. më 4 vite burgim dhe H.H. më 3.
B.K. ishte shpallur fajtor edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe është dënuar me dënim unik me burgim prej 3 viteve. R.T. për veprën penale “Mos lajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre” është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve. Ndërsa B.L. për veprën penale “Mos lajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre“, është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve.
Ndaj të akuzuarit tjetër të këtij rasti M.J. ishte shqiptuar Masa e Trajtimit të Detyrueshëm Psikiatrik me Ndalim në Institucionet e Kujdesit Shëndetësor në kohëzgjatje prej 10 viteve, për shkak të veprave penale “Hakmarrja”, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.