Vendimi u mor pas vlerësimit të gjendjes faktike për të akuzuarit R.A. dhe Q. Xh. si dhe rrethanave lehtësuese dhe renduese për të tre të akuzuarit.
Prishtinë, 21.07.2020 – Gjykata e Apelit, ka vendosur sipas ankesave, në çështjen penale kundër të akuzuarve L.A., R.A dhe Q.Xh. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, i datës 23.12.2019, është ndryshuar.
Të akuzuarit L.A. i cili është shpallur fajtor, për shkak të veprës penale në bashkëkryerje “Vrasje e rëndë” nga neni 179 par. 1 nën par. 1.4 dhe 1.8 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës(KPRK) dhe veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 par. 1 i KPRK-së, i është ashpërsuar dënimi me burgim nga 18 në 22 vjet.
Të akuzuarës R.A dhe akuzuarit Q. Xh., të cilët nga Gjykata e Apelit janë gjetur fajtor për shkak të veprës penale në bashkëkryerje “Vrasje e rëndë” nga neni 179 par. 1 nën par. 1.4 dhe 1.8 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së, u janë rritur dënimet nga 5 në 15 vjet burgim për secilin.
Vendimi u mor pas vlerësimit të gjendjes faktike për të akuzuarit R.A. dhe Q. Xh. si dhe rrethanave lehtësuese dhe renduese për të tre të akuzuarit. Kolegji i Apelit vlerësoi se ky dënim, është në përputhje me shkallën e përgjegjësisë penale të tyre dhe me intensitetin e rrezikimit të vlerave të mbrojtura të shoqërisë. Gjykata Apelit gjithashtu është e bindur se vendimi mbi dënim do të shërbej për arritjen e qëllimit e në përputhje me nenin 41 të KPPRK-së.