Prishtinë, 09.03.2021- Gjykata e Apelit e Kosovës ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit L.K dhe atë të arrestit shtëpiak prej 30 ditësh ndaj të pandehurës M.B. Kështu, Apeli i ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e avokatëve mbrojtës, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 03.03.2021.
I pandehuri L.K. po dyshohet nga ana prokurorisë shkak të veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës(KPRK); “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së dhe “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale” nga neni 380 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 nën paragrafi 2.1 të KPRK-së. Ndërsa e pandehura M.B, për shkak të veprës penale “Moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale”, nga neni 377 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 1, nënparagrafi 2.7 të KPRK-së.
Gjykata e Apelit vlerësoi se ka bazë ligjore për caktimin e masave të lartcekura, ndaj të pandehurve, meqenëse ekziston dyshimi i bazuar ata kanë kryer veprat penale, për të cilat po dyshohen, e po ashtu ekzistojnë rrethana të posaçme që e bëjnë të besueshme friken se me gjetjen e tyre në liri, mund të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale apo ta përsërisin veprën penale.