Prishtinë, 28 shkurt 2023 – Me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, të Departamentit Special janë refuzuar ankesat e Prokurorisë Speciale të Republikës Kosovës dhe e mbrojtësit të të akuzuarit I.T. avokatit N.V., ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, PS.nr.59/2021, i datës 19.10.2022, është vërtetuar.
Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.59/2021, të datës 19.10.2022, i akuzuari I.T. është shpallur fajtor për shkak të veprës penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik nga neni 147.1 i KPRK, për të cilën vepër penale të njëjtit i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej një (1) viti, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Gjykata e Apelit me aktgjykimin APS.nr.2/2023, të datës 20.02.2023, ka refuzuar ankesat e Prokurorisë Speciale të Republikës Kosovës dhe të mbrojtësit të të akuzuarit I.T. avokatit N.V. për shkak të veprës penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik nga neni 147.1 i KPRK. Në arsyetim të aktgjykimit gjykata e shkallës së dytë ka theksuar se gjykata e shkallës së parë drejtë dhe në mënyrë të plotë ka vërtetuar gjendjen faktike, pasi që rezulton se në veprimet e të akuzuarit janë konsumuar elementet e veprës penale nga neni 147.1 i KPRK, rrjedhimisht drejt është aplikuar edhe ligji penal në raport me të akuzuarin kur e ka shpallur fajtor për këtë vepër penale, pasi që faktet dhe rrethanat nën të cilat është kryer vepra penale konsumojnë elementet e figurës bazë të veprës penale, nxitja e urrejtjes përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik nga neni 147.1 i KPRK. Tutje ka theksuar se gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar rrethanat si ato rënduese ashtu edhe ato lehtësuese, dhe si te tilla kanë ndikuar në llojin dhe lartësinë e dënimit, kur gjykata e shkallës së parë i ka shqiptuar dënimin si në aktgjykimin e ankimuar. Po ashtu aktgjykimi nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale që do të kushtëzonin anulimin e tij, me konkretisht aktgjykimi në dispozitiv përmban të gjitha rrethanat e fakteve që si të tilla shpërfaqin konsumimin e elementeve të figurës se veprës penale për të cilën i pandehuri është shpallur fajtor, dispozitivi është i qartë dhe konkret, tregon kohën e kryerjes së veprës penale, vendin se ku është kryer vepra penale, veprimin konkret të të pandehurit, dhe rrezikun që mund të prishin rendin publik, andaj në këtë kuptim dispozitivi i aktgjykimit është konkret i qartë dhe specifik në raport me veprimet e të pandehurit, nuk ka paqartësi dhe kundërthënie në tërësinë e rrethanave faktike të kësaj çështje penale.
https://apeli.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/AP_APS_2023-008322_SQ.pdf