Vërtetohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarve A.LL. dhe S.R.

Vërtetohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarve A.LL. dhe S.R.

Prishtinë, 31 mars 2023, Me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, të Departamenti Special, është refuzuar ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, dhe ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit A.LL. avokatit N.R, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.31/20, i datës 05.12.2022, është vërtetuar.

Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.31/20, të datës 05.12.2022, i akuzuari A.LL. për shkak të veprës penale në bashkëkryerje vrasje e rëndë e mbetur në tentative nga neni 179 par.1 nën par. 1.8 lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK është shpallur fajtor dhe i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) vite e 6 (gjashtë) muaj, i cili dënim do të ekzekutohet në afatin prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Në dënimin e shqiptuar me burgim të akuzuarit A.LL., i është llogaritur koha e qëndrimit në paraburgim nga data 13.03.2017 e deri me datën 20.04.2021, ndërsa pjesa e mbetur e dënimit me burgim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Ndërsa i akuzuari S.R. në kuptim të nenit 364 par. 1, nën par. 1.3 të KPPK, për shkak të veprës penale vrasje e rëndë në ndihmë, e mbetur në tentativë, nga neni 179 par. 1 nën par. 1.8 lidhur me nenin 28 dhe 33 të KPRK është liruar nga akuza.

Gjykata e Apelit, me aktgjykimin APS.nr.8/23, të datës 08.03.2023, e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës si dhe ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit A.LL, av.N.R. Në arsyetim të aktgjykimit gjykata e shkallës së dytë, ka vlerësuar se gjykata së shkallës së parë drejtë dhe në mënyrë të plotë ka vërtetuar gjendjen faktike, për faktin se në këtë çështje penale nuk ka mbetur pa u vërtetuar asnjë fakt vendimtar dhe nuk është shkelur as ligji penal siç pretendon mbrojtësi i të akuzuarit A.LL., në ankesën e tij, pasi që veprimet e të akuzuarit A.LL. i përbëjnë të gjitha elementet subjektive dhe objektive të veprës penale për të cilën i njëjti është shpallur fajtor, se për këtë vepër penale i njëjti është penalisht përgjegjës, si dhe nuk ekzistojnë rrethana të cilat e përjashtojnë ndjekjen penale apo përgjegjësinë penale të të akuzuarit. Tutje kolegji i gjykatës së shkallës së dytë ka vlerësuar se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit nga ana e gjykatës së shkallës se parë është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit si ekzekutor, dhe me intensitetin e rrezikimit apo pasojave të shkaktuara dhe se me të do të mund të parandalohet i akuzuari nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, si dhe do të parandalohen personat tjerë nga kryerja e veprave penale. Gjithashtu Gjykata e Apelit pajtohet me arsyet e paraqitura nga gjykata e shkallës së parë se në rastin konkret nga provat e administruara në shqyrtimin gjyqësor nuk është vërtetuar se i akuzuari i dytë S.R., ta ketë ndihmuar në ndonjë mënyrë apo tjetër të pandehurin tani më të ndjerë M.J., për të kryer veprën penale vrasje e rëndë e mbetur në tentativë, ndaj të dëmtuarit A.V.

Në vegëzën si më poshtë gjeni aktgjykimin e anonimizuar

https://www.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/AP_APS_2023:030105_SQ.pdf