Prishtinë – 12 prill 2023, Me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, të Departamenti të Përgjithshëm-Divizioni Civil, janë aprovuar pjesërisht ankesat e të paditurës Republika e Kosovës-Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe paditësit H.R, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm, C.nr.674/12/, i datës 27.10.2020, në pikën I dhe II të tij është ndryshuar ashtu që e paditura është detyruar që paditësit për shkak të privimit të kundërligjshëm nga liria për 117 ditë, në emër të kompensimit të dëmit jomaterial për vuajte shpirtërore, për cenim të autoritetit, të nderit dhe të lirisë, të drejtave të personalitetit dhe frikës së përjetuar, t’ia paguaj shumën e përgjithshme prej 11,700.00 euro, në afat prej 15 ditësh, nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi, kurse pjesa tjetër e kërkesëpadisë së paditësit mbi shumën e gjykuar, e deri tek shuma e kërkuar prej 1,629,988.300 euro, është refuzuar si e pabazuar. Përndryshe pika III, pika IV,5,6 dhe pika V, e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë është prishur dhe çështja i është kthyer në rigjykim gjykatës së shkallës së parë. Ndërsa pika I sa i përket kamatës dhe pika IV.1,2,3,4, e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë është vërtetuar.
Në arsyetim të aktgjykimit gjykata e shkallës së dytë, ka vlerësuar se aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182 paragrafi 2, pika b), g), j), k) dhe m) e LPK, për të cilat shkaqe Gjykata e Apelit kujdeset sipas detyrës zyrtare, por e drejta materiale është aplikuar gabimisht në pjesën që aktgjykimi është ndryshuar, ndërsa pjesa e prishur e aktgjykimit është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore të paraparë me nenin 182 par.2 pika n) e LPK.
Në këtë rast gjykata e shkallës së dytë, nuk e ka pranuar qëndrimin dhe përfundimin e gjykatës së shkallës së parë, sa i përket lartësisë së dëmshpërblimit të cilin në këtë rast i’a ka gjykuar paditësit si në piken I të dispozitivit të aktgjykimit të atakuar, dhe ka vlerësuar se pavarësisht gjendjes së vërtetuar faktike dhe mospërfshirjes së aktgjykimit të atakuar me shkelje esenciale të procedurës në këtë pjesë të aktgjykimit, gjykata e shkallës së parë sa i përket lartësisë së kompensimit për paditësin, ka bërë zbatim të gabuar të së drejtës materiale, kur paditësit ia ka caktuar shumën e pergjithshme të shpërblimit të dëmit jomaterial në lartësi prej 45,000 euro, e cila shumë nuk është në harmoni me praktikën e deritanishme gjyqësore. Po ashtu gjykata e Apelit, gjatë vendimmarrjes me rastin e ndryshimit të aktgjykimit e ka pasur parasysh udhëzuesin për caktimin e kritereve orientuese dhe lartësisë së shpërblimit të drejt në të holla të dëmit jo material të lëshuar nga Gjykata Supreme e Kosovës, por duke marr parasysh mënyrën dhe rrethanat e heqjes së lirisë së paditësit, të njëjtit i caktoi shumën e shpërblimit të dëmit mbi këto kritere të përcaktuar dhe atë për një ditë të heqjes së lirisë i caktoi kompensimin e dëmit në lartësi prej 100.00 euro, duke pasur parasysh moshën e paditësit, personalitetin e tij dhe profesionin, pasi që paditësi në kohën e arrestimit ka qenë i moshës 52 vjeçar dhe ka mbajtur pozitën e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, që nënkupton se paditësit i është besuar një ndër pozitat më të larta shtetërore për menaxhimin e këtij institucioni të pavarur dhe rrjedhimisht paditësi në këtë moshë ka pasur mundësi potenciale, që në të ardhmen të avancohet në karrierën e tij profesionale, pastaj si parametër për caktimin e lartësisë së shpërblimit të dëmit, e njëjta e ka marr parasysh edhe jehonën mediatike që i është dhënë rastit me rastin e arrestimit të paditësit dhe gjatë kohës së heqjes së lirisë.
Më tutje Gjykata e Apelit, me rastin e caktimit të lartësisë së kërkesëpadisë së paditësit, gjithashtu ka marr parasysh edhe kohëzgjatjen e qëndrimit të tij në paraburgim prej 117 ditë, ku gjatë kësaj kohe i njëjti ka përjetuar vuajtje dhe dhimbje shpirtërore, andaj nga këto arsye të lartcekur e ka caktuar shpërblimin e dëmit jomaterial për dhimbje shpirtërore për shkak të cenimit të autoritetit, të nderit, të lirive ose të drejtave të personalitetit në shumë të përgjithshme prej 11,700.00 euro, e cila shumë llogaritet se do të përfaqëson një satisfaksion adekuat që i dëmtuari (në këtë rast paditësi) t’i përballojë më lehtë dëmet jomateriale të pësuara, edhe pse këto forma të dëmit nuk mund të vlerësohen e as të kompensohen me para, ku edhe praktika e Gjykatës Evropiane e të Drejtave të Njeriut me seli në Strasburg, ka përcaktuar se caktimi i kompensimit për këto kategori duhet të trajtohet si statisfakcion i të dëmtuarve dhe në asnjë mënyrë pasurim i tyre.
Gjithashtu gjykata e shkallës së dytë vlerësoi se pika III, pika IV.5,6 dhe pika V e dispozitivit të aktgjykimit ankimor është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore të parapara me nenin 182 par.2 pika n) të LPK, ngase dispozitivi i aktgjykimit është i pakuptueshëm dhe kontradiktor me arsyet e aktgjykimit si dhe nuk janë dhënë arsye për faktet vendimtare, pika III e dispozitivit të aktgjykimit të atakuar është në kundërthënie me ekspertizën financiare dhe gjykata nuk jep arsye se në cilat prova është bazuar, kur ka ardhur deri në këtë përfundim, pastaj aktgjykimit të atakuar i mungojnë arsyet edhe për faktet vendimtare, sa i përket vendimit për kompensimin e pagës pas periudhës së heqjes së masës së paraburgimit e deri në skadimin e mandatit, kur kihet parasysh se paditësi nuk ka pasur ndonjë ndalesë që të ushtroj serish detyrat e punës së Guvernatorit në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, po ashtu dispozitivi i aktgjykimit është kontradiktor edhe me arsyetimin e aktgjykimit, ku në faqen 11 të arsyetimit, gjykata e instancës me të ulët e konstaton faktin e pa kontestuar se paditësi ka pësuar dëm në emër të shpenzimeve të vizitave familjare dhe pakove dhe e paditura për këtë formë të dëmit në procedurën administrative i ka paraqitur ofertë për kompensimin e dëmit, ndërsa në anën tjetër gjykata e shkallës së parë këtë formë të dëmit pa dhënë arsye ia ka refuzuar paditësit, në ndërkohë që e njëjta ia njeh paditësit edhe shpenzimet e procedurës penale sipas faturës në lartësi prej 8,380.00 euro, por në shkresat e lëndës nuk ka provë materiale se paditësi këto shpenzime i ka paguar, respektivisht nuk janë prezantuar dëshmitë e specifikuara në faturë, për t’i vlerësuar se këto shpenzime të pretenduara a kanë qenë të domosdoshme dhe a janë në harmoni me tarifën e Odes së Avokateve apo jo.
Mbi bazën e të lartcekurave, Gjykata e Apelit, ka vlerësuar se në ri procedurë, për pjesën e kthyer në rigjykim, gjykata e shkallës së parë është e detyruar që të bëjë eliminimin e shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore në pajtim me vërejtjet e paraqitura, me qëllim që të nxjerrë një vendim të ligjshëm dhe të drejtë.
https://apeli.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/AP_AC_2020-176838_SQ.pdf