Vërtetohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarve Xh.Sh., S.B., B.R., N.M., V.P., dhe J.A.

Vërtetohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarve Xh.Sh., S.B., B.R., N.M., V.P., dhe J.A.

Prishtinë, 25 maj 2023, Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamentit Special, lidhur me rastin e shënjestruar “Kamera”, ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ankesën e mbrojtëses së të akuzuarit J.A. dhe ka hedhur si e palejuar ankesa e të akuzuarit N.M, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.57/22, të datës 23.01.2023,e ka vërtetuar.

Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.57/22, të datës 23.01.2023, të akuzuarit, Xh.Sh. për shkak të veprës penale blerja, posedimi dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 par.1 të KPRK, dhe dhënia e ndihmës kryerësve, pas kryerjes së veprës penale nga neni 380 par.2 pika 2.8 lidhur me par.1 të KPRK, S.B., B.R., dhe N.M., për shkak të veprës penale blerja, posedimi dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 par. 2 lidhur me par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK, V.P për shkak të veprës penale blerja, posedimi dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK, dhe J.A. për shkak të veprës penale blerja, posedimi dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 par.2 lidhur me par.1 të KPRK, janë shpallur fajtor dhe janë gjykuar si në vijim: Të akuzuarit Xh.Sh., gjykata e shkallës së parë për veprën penale si në pikën I të dispozitivit të aktgjykimit, i ka shqiptuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 18 muaj dhe dënim me gjobë në lartësi prej 2.000 (dy mijë) euro, ndërsa për veprën tjetër si në pikën II të dispozitivit të aktgjykimit i ka shqiptuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muajsh, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit do t’i zëvendësohet me dënim me gjobë në lartësi prej 2.000 (dy mijë) euro, respektivisht e ka gjykuar me dënim unik me gjobë në lartësi prej 4.000 (katër mijë) euro. Të akuzuarve B.R. dhe S.B.  i ka shqiptuar dënimin me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 18 muaj si dhe dënim me gjobë në lartësi prej 10,000 (dhjetë mijë) euro, të akuzuarit N.M. i ka shqiptuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 19 muaj si dhe dënim me gjobë në lartësi prej 10,000 (dhjetë mijë) euro, ndërsa të akuzuarit V.P. i ka shqiptuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 18 muaj si dhe dënim me gjobë në lartësi prej 2,000 (dymijë) euro, dhe të akuzuarit J.A. i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 muaj dhe dënim me gjobë në lartësi prej 5,000 (pesëmijë) euro. Gjykata e shkallës së parë të akuzuarve i ’u ka shqiptuar edhe dënime plotësuese.

Gjykata e Apelit, me aktgjykimin APS.nr.20/23, të datës 16.05.2023, e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, dhe ankesën e mbrojtëses së të akuzuarit J.A., ndërsa e ka hedhur si e palejuar ankesën e të akuzuarit N.M. Në arsyetim të aktgjykimit gjykata e shkallës së dytë, ka vlerësuar se pretendimet ankimore të Prokurorisë për një dënim më të ashpër për të akuzuarin J.A., ndërsa të mbrojtëses së të akuzuarit për një dënim me të butë nuk janë të bazuara, për faktin se gjykata e shkallës së parë me rastin e shqiptimit të llojit dhe lartësisë së dënimit ka vlerësuar, drejtë të gjitha rrethanat të cilat ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit, duke u bazuar në rregullat e përgjithshme për zbutjen e dënimit ku për të akuzuarin J.A., ka vlerësuar pranimin e fajësisë dhe po ashtu ka shprehur gatishmëri që të hyjë në marrëveshje për pranimin e fajësisë kurse, të akuzuarit e tjerë kanë arritur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë të cilën marrëveshjen, gjykata e shkallës së parë e ka pranuar. Ndërsa sa i përket të akuzuarit N.A., Gjykata e Apelit e ka hedhë ankesën si të palejuar meqenëse është shqiptuar dënimi në kuadër të marrëveshjes për pranimin e fajësisë për çka në rrethana të tilla gjykata ka vendosur si në dipozitiv të aktgjykimit. Tutje kolegji i gjykatës së shkallës së dytë, ka vlerësuar se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarve nga ana e gjykatës së shkallës se parë është në harmoni, me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarve si dhe me intensitetin e rrezikimit apo pasojave të shkaktuara dhe se me të do të mund të parandalohen të akuzuarit si dhe personat tjerë nga kryerja e veprave penale në të ardhmen.

Linku:

https://www.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/AP_APS_2023-087987_SQ.pdf