Ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ashtu që të akuzuarit B.B i shqiptohet dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 23 vite e 6 muaj

Ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ashtu që të akuzuarit B.B i shqiptohet dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 23 vite e 6 muaj

Prishtinë, 12 tetor 2023, Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti për Krime të Rënda, e ka aprovuar pjesërisht si të bazuar ankesën e përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.365/22 të datës 16.06.2023, e ka ndryshuar vetëm përkitazi me vendimin për dënim dhe atë për veprën penale vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të KPRK.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, me aktgjykimin PKR.nr.365/22, të datës 16.06.2023, të akuzuarin B.B e ka shpallur fajtor për shkak të veprës penale vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të KPRK, duke i shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 16 (gjashtëmbëdhjetë) vite, për shkak të veprës penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 paragrafi 1 të KPRK, duke i shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 1 (një) vit, si dhe për shkak të veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni  366 paragrafi 1  të KPRK, duke i shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 1 (një) vit. Të akuzuarit B.B gjykata e shkallës së parë i ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 17 (shtatëmbëdhjetë) vite e 6 (gjashtë) muaj, në të cilën dënim i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 18.10.2021, e deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti për Krime të Rënda, me aktgjykimin PAKR.nr.451/23, të datës 06.10.2023, e ka aprovuar pjesërisht si të bazuar ankesën e përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda PKR.nr.365/22, të datës 16.06.2023, e ka ndryshuar vetëm përkitazi me vendimin për dënim dhe atë përkitazi me veprën penale vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të KPRK, ashtu që gjykata e shkallës së dytë të akuzuarit B.B, për veprën penale vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të KPRK, i ka shqiptuar dënimin me burgim në kohëzgjatje pej 22 (njëzet e dy) vite, andaj të akuzruain B.B e ka gjykuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 23 (njëzet e tri ) vite e 6 (gjashtë) muaj, në të cilën dënim i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 18.10.2021, e tutje. Gjithashtu ankesën e përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar, për vendimin për dënim, përkitazi me veprat penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 paragrafi 1 të KPRK dhe veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni  366 paragrafi 1  të KPRK, dhe ankesën e mbrojtësit të akuzuarit B.B, i ka hudhur si të palejuara, ndërsa, aktgjykimin e ankimuar për pjesën tjetër e ka vërtetetuar.

Në arsyetim të aktgjykimit Gjykata e Apelit ka theksuar se me rastin e shqiptimit të dënimit, gjykata e shkallës së parë, duke vlerësuar rrethanat lehtësuese dhe rënduese konform dispozitave të neni 69 dhe 70 të KPRK, si rrethana lehtësuese për të akuzuarin B.B, ka theksuar se i akuzuari ka pranuar fajësinë, ndërsa si rrethana rënduese shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale, atë të përgjegjësisë penale të akuzuarit dhe sidomos pasojën e veprës penale, pastaj faktin se i akuzuari e ka privuar nga jeta djalin e axhës pra të afërmin e familjes dhe në bazë të rrethanave të konstatuara dhe të vlerësuara gjykata e shkallës së parë, të akuzuarit i ka shqiptuar dënimin si në dispozitiv të aktgjykimit të ankimuar dhe dënimi i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë është  i butë për çka kjo gjykatë e ndryshoi aktgjykimin e ankimuar dhe vendosi si në dispozitiv të këtij aktgjykimi. Tutje ka theksuar se gjykata e shkallës së parë, në këtë çështje penalo – juridike edhe pse drejtë i ka konstatuar disa nga rrethanat lehtësuese dhe rënduese të cilat i ka gjetur tek i akuzuari të njëjtat nuk i ka vlerësuar realisht, andaj edhe rezulton se dënimi i shqiptuar tani të akuzuarit nga Gjykata e Apelit për veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 4 të KPRK është i drejtë dhe i ligjshëm dhe në harmoni me shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale dhe me shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit, po ashtu i njëjti është në funksion të preventivës gjenerale por edhe asaj individuale dhe se me dënimin e shqiptuar do të arrihet qëllimi i dënimit i paraparë në dispozitën e nenit 38 të KPPRK. Gjithashtu Gjykata e Apelit pati parasysh edhe pretendimet tjera ankimore por të njejtat i ka hudhur si të palejuara ngase, me dispozitat në fjalë parashihet se i dëmtuari mund të paraqesë ankesë ndaj aktgjykimit dhe atë vetëm për vendimin e gjykatës, lidhur me sanksionet penale dhe atë për veprat penale që përfshihen në kapitujt të caktuar, e që veprat penale në fjalë nuk bëjnë pjesë në këta kapitujt e veprave penale për të cilat lejohet ankesa.

https://apeli.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/AP_PAKR_2023-163105_SQ.pdf