Prishtinë, 22 dhjetor 2023 – Me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit – Departamenti Special është refuzuar ankesa e Prokurorisë Speciale, ankesa e mbrojtësit të akuzuarit R.Sh, avokatit B.M, dhe është hedhur si e palejuar ankesa e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit A.H, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, P.nr.26/20, i datës 27.06.2023, është vërtetuar.
Gjykata Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, me aktgjykimin P.nr.26/20, të datës 27.06.2023, të akuzuarin R.Sh, e ka shpallur fajtor, për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142, lidhur me nenin 22 të LPJ-së, dhe lidhur me nenin 3 (1.a) të Konventës së IV të Gjenevës, dhe të njëjtin e ka gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 9 (nëntë) vite e 6 (gjashtë) muaj, në të cilin dënim i ka llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim nga data 24.05.2019 e tutje, ndërsa të dëmtuarit A.P., Z.P., S.P. dhe F.P., i ka udhëzuar që kërkesën pasurore juridike ta realizojnë në kontest të rregullt civil. Gjithashtu të akuzuarin e ka obliguar që të paguajë shpenzimet e procedurës penale sipas llogaritjes së gjykatës, ndërsa në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 500 (pesëqind) euro, si dhe në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 50 (pesëdhjetë) euro, të gjitha këto në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, me aktgjykimin APS.nr.49/2023, të datës 05.12.2023, e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale, ankesën e mbrojtësit të akuzuarit R.Sh, avokatit B.M, dhe e ka hedhur si të palejuar ankesën e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit A.H, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, P.nr.26/20, të datës 27.06.2023, e ka vërtetuar. Në arsyetim të aktgjykimit Gjykata e Apelit ka theksuar se aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 paragrafi 1 dhe 2 të KPPRK, e të cilat kishin për të kushtëzuar anulimin e tij sikurse pretendon prokurori në ankesë, për faktin se gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të qarta dhe të plota lidhur me faktet vendimtare si dhe për kryerjen e veprës penale për të cilën i akuzuari R.Sh., është shpallur fajtor, dhe në aktgjykim janë paraqitur të gjitha faktet dhe rrethanat lidhur me veprimet inkriminuese të akuzuarit e që përbëjnë veprën penale dhe nuk ekziston asnjë kundërthënie në mes të dispozitivit të aktgjykimit sikurse pretendon mbrojtësi ndërsa arsyet e paraqitura në arsyetimin janë të qarta dhe konkrete dhe i përgjigjen veprimeve inkriminuese të akuzuarit, andaj aktgjykimi është hartuar në përputhje me dispozitat ligjore. Gjithashtu Gjykata e Apelit gjen se gjykata e shkallës së parë drejtë dhe në mënyrë të plotë ka vërtetuar gjendjen faktike siç është përshkruar në dispozitiv të aktgjykimit të ankimuar, dhe vlerësimi i provave ka qenë i drejtë e sidomos vlerësimi i deklaratave të dëmtuarit A.P. i cili e kishte identifikuar të akuzuarin, kurse lidhur me deklarimet e dëshmitareve është bërë një analizë e detajuar përkitazi me besueshmërinë e tyre dhe përputhjen e deklaratave të tyre në drejtime të kësaj çeshtje penale. Po ashtu për shkak të vlerësimit të drejtë dhe të plotë të gjendjes faktike, pa dyshim rrjedh se i akuzuari ka ndërmarrë veprime inkriminuese në drejtim të viktimës H.P. në kohë të konfliktit të armatosur, dhe vërtetohet se janë formuar elementet e veprës penale të krimeve të luftës, prandaj në këtë derjtim, drejtë është zbatuar ligji penal. Ndërsa sa i përket vendimit mbi dënim kolegji penal i Gjykatës së Apelit, gjen se gjykata e shkallës së parë drejtë dhe në mënyrë të plotë ka vlerësuar rrethanat të cilat ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit, ndërsa pretendimet e prokurorisë dhe të mbrojtësit në këtë drejtim janë refuzuar si të pa bazuara, për faktin se dënimi i shqiptuar është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit, kurse ankesa e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, av.A.H, në referim të dipozitave ligjore me të drejtë është hudhur si e palejuar.