Vërtetohet aktgjykimi ndaj të akuzuarit R.Sh për shkak të veprës penale krime lufte kundër popullatës civile

Vërtetohet aktgjykimi ndaj të akuzuarit R.Sh për shkak të veprës penale krime lufte kundër popullatës civile

Prishtinë, 22 dhjetor 2023 – Me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit – Departamenti Special është refuzuar ankesa e Prokurorisë Speciale, ankesa e mbrojtësit të akuzuarit R.Sh, avokatit B.M, dhe është hedhur si e palejuar ankesa e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit A.H, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, P.nr.26/20, i datës 27.06.2023, është vërtetuar.

Gjykata Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, me aktgjykimin P.nr.26/20, të datës 27.06.2023, të akuzuarin R.Sh, e ka shpallur fajtor, për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142, lidhur me nenin 22 të LPJ-së, dhe lidhur me nenin 3 (1.a) të Konventës së IV të Gjenevës, dhe të njëjtin e ka gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 9 (nëntë) vite e 6 (gjashtë) muaj, në të cilin dënim i ka llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim nga data 24.05.2019 e tutje, ndërsa të dëmtuarit A.P., Z.P., S.P. dhe F.P., i ka udhëzuar që kërkesën pasurore juridike ta realizojnë në kontest të rregullt civil. Gjithashtu të akuzuarin e ka obliguar që të paguajë shpenzimet e procedurës penale sipas llogaritjes së gjykatës, ndërsa në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 500 (pesëqind) euro, si dhe në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 50 (pesëdhjetë) euro, të gjitha këto në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Gjykata  e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, me aktgjykimin APS.nr.49/2023, të datës 05.12.2023, e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale, ankesën e mbrojtësit të akuzuarit R.Sh, avokatit B.M, dhe e ka hedhur si të palejuar ankesën e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit A.H, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, P.nr.26/20, të datës 27.06.2023, e ka vërtetuar. Në arsyetim të aktgjykimit Gjykata e Apelit ka theksuar se aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 paragrafi 1 dhe 2 të KPPRK, e të cilat kishin për të kushtëzuar anulimin e tij sikurse pretendon prokurori në ankesë, për faktin se gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të qarta dhe të plota lidhur me faktet vendimtare si dhe për kryerjen e veprës penale për të cilën i akuzuari R.Sh., është shpallur fajtor, dhe në aktgjykim janë paraqitur të gjitha faktet dhe rrethanat lidhur me veprimet inkriminuese të akuzuarit e që përbëjnë veprën penale dhe nuk ekziston asnjë kundërthënie në mes të dispozitivit të aktgjykimit sikurse pretendon mbrojtësi ndërsa arsyet e paraqitura në arsyetimin janë të qarta dhe konkrete dhe i përgjigjen veprimeve inkriminuese të akuzuarit, andaj aktgjykimi është hartuar në përputhje me dispozitat ligjore. Gjithashtu Gjykata e Apelit gjen se gjykata e shkallës së parë drejtë dhe në mënyrë të plotë ka vërtetuar gjendjen faktike siç është përshkruar në dispozitiv të aktgjykimit të ankimuar, dhe vlerësimi i provave ka qenë i drejtë e sidomos vlerësimi i deklaratave të dëmtuarit A.P. i cili e kishte identifikuar të akuzuarin, kurse lidhur me deklarimet e dëshmitareve është bërë një analizë e detajuar përkitazi me besueshmërinë e tyre dhe përputhjen e deklaratave të tyre në drejtime të kësaj çeshtje penale. Po ashtu për shkak të vlerësimit të drejtë dhe të plotë të gjendjes faktike, pa dyshim rrjedh se i akuzuari ka ndërmarrë veprime inkriminuese në drejtim të viktimës H.P. në kohë të konfliktit të armatosur, dhe vërtetohet se janë formuar elementet e veprës penale të krimeve të luftës, prandaj në këtë derjtim, drejtë është zbatuar ligji penal. Ndërsa sa i përket vendimit mbi dënim kolegji penal i Gjykatës së Apelit, gjen se gjykata e shkallës së parë drejtë dhe në mënyrë të plotë ka vlerësuar rrethanat të cilat ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit, ndërsa pretendimet e prokurorisë dhe të mbrojtësit në këtë drejtim janë refuzuar si të pa bazuara, për faktin se dënimi i shqiptuar është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit, kurse ankesa e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, av.A.H, në referim të dipozitave ligjore me të drejtë është hudhur si e palejuar.