Zagreb, 19-20 shkurt 2024 –Kryetari i Gjykatës së Apelit të Kosovës, z.Valon Totaj dhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z.Albert Zogaj morën pjesë në konferencën ndërkombëtare “E ardhmja e zgjerimit të Bashkimit Evropian: Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, të organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Administratës Publike e Republikës së Kroacisë.
Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të sistemit të drejtësisë dhe ministra nga Ballkani Perëndimor, Ukraina, Turqia, Gjeorgjia dhe Moldova si dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian. Nga Republika e Kosovës të pranishëm ishin Ministrja e Drejtësisë së Republikës së Kosovës, znj.Albulena Haxhiu, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z.Albert Zogaj, Kryetari i Gjykatës së Apelit të Kosovës, z.Valon Totaj dhe Kryetari i Komisionit për Legjislacion, z.Adnan Rrustemi.
Konferenca dy ditore i parapriu trajtimit të çështjeve lidhur me sfidat dhe hapat e nevojshëm për të arritur standardet e Bashkimit Evropian, Pavarësia dhe llogaridhënia e gjyqësorit, Efikasiteti i gjyqësorit, Shtypja e korrupsionit, Parandalimi i korrupsionit si dhe Reforma në drejtësinë administrative gjatë negociatave të anëtarësimit.
Në cilësinë e panelistëve Kryetari Totaj së bashku me Kryesuesin Zogaj, diskutuan për masat e ndërmarra lidhur me reformën gjyqësore, duke përfshirë forcimin e pavarësisë, rritjen e efikasitetit dhe transparencës së sistemit gjyqësor në Republikën e Kosovës.
Organizimi i kësaj konference dy ditore, shënon një hap të rëndësishëm drejt dialogimit, shkëmbimit të përvojave dhe zgjidhjes së sfidave në fushën e drejtësisë, si parakusht në procesin e integrimit.