Prishtinë, 29 shkurt 2024, Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, e ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të akuzuarit S.B, av. Besnik Berisha, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.10/2020 të datës 28.04.2023, e ka ndryshuar vetëm përkitazi me vendimin për dënim me burgim dhe gjobë, ashtu që pjesa tjetër sa i përket dënimit plotësues dhe konfisikimit të armës, ka konstatuar se mbetet e pandryshuar, duke refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtjes për bazat e tjera. Kurse në pikën II të dispozitivit të aktgjykimit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale, ndaj aktgjykimit të ankimuar.
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktgjykimin PS.nr.10/2020, të datës 28.04.2023, të akuzuarin S.B e ka shpallur fajtor për shkak të veprave penale, marrje ryshfeti nga neni 421 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK, duke i shqiptuar dënimin në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite e gjashtë (6) muaj, në të cilin i është llogaritur koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak dhe denimin me gjobë në shumë prej 4.000 (katërmijë) euro, si dhe për shkak të veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK, duke i shqiptuar dënimin me gjobë në shumë prej 1.000 (njëmijë) euro, gjegjësisht i ka shqiptar dënimin unik me gjobë në shumë prej 5.000 (pesëmijë) euro, të cilin i akuzuari është detyruar ta paguaj në afat prej 1 (një) muaji, nga data e plotëfuqishmësisë së aktgjykimit.
Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, me aktgjykimin APS.nr.45/2023, të datës 15.12.2023, e ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të akuzuarit S.B, av. Besnik Berisha, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.10/2020 të datës 28.04.2023, e ka ndryshuar vetëm përkitazi me vendimin për dënimin me burgim dhe gjobë, ashtu që gjykata e shkallës së dytë të akuzuarit S.B, për veprën penale marrje ryshfeti nga neni 421 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK, i ka shqiptuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite dhe dënim me gjobë në shumë prej 3.000 (tremijë) euro, ndërsa për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK, i ka shqiptuar dënimin me gjobë në shumë prej 500 (pesëqind) euro, gjegjësisht dënimin unik me gjobë në shumë prej 3.500 (tremijë e pesëqind) euro, kurse pjesa tjetër lidhur me dënimin plotësues dhe konfisikimin e armës, ka konstatuar se mbetet e pandryshuar, duke refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtjes për bazat e tjera. Kurse në pikën II të dispozitivit të aktgjykimit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale ndaj aktgjykimit të ankimuar. Në arsyetim të aktgjykimit Gjykata e Apelit, ka vlerësuar se nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtjes e as që ka shkelje të tjera të dispozitave të procedurës penale, për të cilat sipas detyrës zyrtare është kujdesur kjo gjykatë, e të cilat kishin për ta kushtëzuar anulimin e aktgjykimit të ankimuar. Kolegji i shkallës së dytë ka theksuar se aktgjykimi si i tillë në dispozitiv është konkret, i qartë dhe nuk ka kundërthënie me veten e tij, nuk vihet në dyshim mungesa e ndonjë fakti që përbën element të figurës së veprës penale, për të pamundësuar nënshtrimin e kësaj gjendje faktike në kuadër të normave penalo juridike, duke shtuar se në arsyetim janë dhënë arsye të qarta dhe të plota për çdo pikë të aktgjykimit për faktet vendimtare, ashtu edhe për zgjidhjen e çështjeve juridike të kësaj çështje penale. Tutje gjykata e shkallës së dytë ka potencuar se nga faktet dhe provat e çështjes është konstatuar se gjendja faktike është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë, nga ana e gjykatës së shkallës së parë, në këtë aspekt faktet relevante nuk kanë mbetur të pavërtetuara sikurse pretendohet në ankesën e ushtruar nga mbrojtësi. Mbi bazën e vërtetimit të gjendjes faktike, gjykata e apelit ka theksuar se gjykata e shkallës së parë, drejtë ka aplikuar edhe ligjin penal, andaj në këtë bazë ankimore nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtësit, për faktin se veprimet e të akuzuarit në raport me veprat penale në pikën I dhe II të dipozitivit, shpërfaqen elementet e figurave të veprave penale për të cilat i pandehuri është shpallur fajtor, prandaj në këtë drejtim kolegji, nuk ka gjetur shkelje të ligjit penal në dëm të akuzuarit. Në raport me vendim mbi dënim nga rrethanat e vlerësuara kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar, si të pabazuar pretendimet e prokurorisë, ndërsa ka vlerësuar si të bazuara pretendimet e mbrojtjes vetëm lidhur me sanksionin penal, që ka të bëjë me dënimin me burgim dhe me dënimin me gjobë, ashtu që kolegji i gjykatës së shkallës së dytë ka ndryshuar aktgjykimin si në pikën I të dispozitivit, duke qenë se në dritën e të gjitha këtyre rrethanave lehtësuese dhe atyre rënduese, me dënimin e shqiptuar si në pikën I të aktgjykimit do të arrihet qëllimi i dënimit si në preventivën e posaçme, ashtu edhe në preventivën e përgjithshme, dhe njëkohësisht ka konstatuar se do të arrihet risocializimi i të pandehurit dhe po ashtu dënimi si i tillë shpërfaq edhe gjykimin shoqëror për veprat penale.
https://apeli.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/AP_APS_2023-217010_SQ.pdf