Prishtinë, 13 mars 2024, Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti për Krime të Rënda, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ankesën e mbrojtësit të akuzuarit XH.B, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda PKR.121/22, të datës 01.12.2023, e ka vërtetuar. Kurse ankesën e të dëmtuarës S.M, lidhur me pjesën liruese, e ka hedhur poshtë si të palejuar.
Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.121/22, të datës 01.12.2023, të akuzuarin XH.B, e ka shpallur fajtor, për veprat penale vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.1, 1.5 dhe 1.11 të KPRK dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK dhe të njëjtin e ka gjykuar me dënim me burgim të përjetshëm, në të cilin dënim i është llogaritur koha e kaluar në paraburgim nga data 06.04.2021 e deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, si dhe të njëjtit i ka shqiptuar edhe dënimin plotësues lidhur me konfiskimin e një arme të zjarrit – pushkë gjuetie, si mjet i kryerjes së veprës penale. Gjithashtu të akuzuarin e ka obliguar që të paguajë shpenzimet e procedurës penale sipas llogaritjes përfundimtare të gjykatës, ndërsa në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 100 (njëqind) euro, si dhe në emër të fundit për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 50 (pesëdhjetë) euro, të gjitha këto në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Ndërsa të dëmtuarit S.M, V.M, D.M, dhe V.M1 i ka udhëzuar që kërkesën pasurore juridike ta realizojnë në kontest të rregullt civil. Kurse të akuzuarin A.B, për shkak të veprës penale, vrasje e rëndë në bashkëkryerje nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.1, 1.5 dhe 1.11 e lidhur me nenin 31 të KPRK, e ka liruar nga akuzua, me arsyetim se me provat e proceduara në seancën e shqyrtimit gjyqësor, nuk është vërtetuar se i njëjti, ka kryer veprën penale që sipas aktakuzë i vihet në barrë. Sa i përket shpenzimeve të procedurës penale, lidhur me të akuzuarin A.B, është vendosur që të bien në barrë të mjeteve buxhetore të gjykatës.
Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti për Krime të Rënda, me aktgjykimin PAKR.nr.39/24, të datës 01.03.2024, e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ankesën e mbrojtësit të akuzuarit XH.B, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Depatamenti për Krime të Rënda PKR.121/22, të datës 01.12.2023, e ka vërtetuar. Kurse ankesën e të dëmtuarës S.M, lidhur me pjesën liruese, e ka hedhur poshtë si të palejuar. Në arsyetim të aktgjykimit Gjykata e Apelit, ka vlerësuar se pretendimet ankimore nuk qëndrojnë, e as që ka shkelje të tjera të dispozitave të procedurës penale, për të cilat sipas detyrës zyrtare është kujdesur kjo gjykatë, e të cilat kishin për të kushtëzuar anulimin e aktgjykimit të ankimuar dhe atë si për pjesën dënuese, ashtu edhe për pjesën liruese, duke theksuar se gjykata e shkallës së parë, ka dhënë arsye të mjaftueshme e të argumentuara për të dyja pjesët e lartcekura. Kolegji gjykues ka gjetur se, nuk qëndrojnë pretendimet ankimore të mbrojtësit lidhur me atë se aktgjykimi i ankimuar, përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të parapara nga neni 384 paragrafi 1 nën paragrafi 10 e lidhur me dispozitat e nenit 369 paragrafi 6 dhe 7 të KPPRK, duke shtuar se kur është fjala për pjesën dënuese, dispozitivi i aktgjykimi është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret dhe i njëjti është në përputhshmëri të plotë edhe me arsyetimin, në të cilin, ka theksuar se janë paraqitur të gjitha arsyet në të cilat është bazuar gjykata e shkallës së parë, me rastin e vërtetimit të ekzistimit të veprës penale dhe përgjegjësisë penale të akuzuarit, si dhe përkitazi me zbatimin të caktuar të dispozitave të Kodit Penal ndaj të akuzuarit dhe veprës penale të tij. Gjykata e shkallës së dytë ka gjetur se edhe përpilimi i dispozitivit, është bërë konform dispozitave të nenit 369 paragrafi 4 e lidhur me nenin 364 të KPPRK, ku janë përfshirë të gjitha faktet dhe rrethanat përkitazi me ngjarjen kritike, fakte dhe rrethana këto nga të cilat plotësohen të gjitha elementet objektive dhe subjektive të veprës penale vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.1, 1.5 dhe 1.11 të KPRK, për të cilën është akuzuar, i akuzuari Xh.B. Ndërsa lidhur me pjesën liruese, kolegji i Gjykatës së Apelit, ka vlerësuar se nuk qëndrojnë pretendimet e prokurorisë, duke arsyetuar se gjykata e shkallës së parë, përpos në dispozitiv edhe në arsyetim ka përfshirë të gjitha provat, nga të cilat edhe ka konstatuar se, me provat në fjalë, duke përfshirë këtu edhe deklaratat e të dëmtuarve-dëshmitarëve okular në vendin e ngjarjes, nuk është vërtetuar se i akuzuari A.B, ka ndërmarrë çfarëdo veprimi konkret inkriminuese që do të ndikonte thelbësisht në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë. Tutje gjykata e shkallës së dytë ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë, gjendjen faktike në këtë çështje penale e ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, andaj duke i pasur parasysh të gjitha rrethanat të cekura si dhe rrethanat më detajisht të theksuara në aktgjykimin e ankimuar, kolegji shqyrtues ka vlerësuar se konkludimi i gjykatës së shkallës së parë se i akuzuari XH.B, është kryerësi i veprës penale të sipërcekur, është i drejtë dhe se në mënyrë të padyshimtë është vërtetuar, se i njëjti ka ndërmarrë veprimet inkriminuese të cilat përbëjnë tiparet e veprës penale, për të cilën i akuzuari edhe është shpallur fajtor dhe është gjykuar. Ndërsa sa i përket të akuzuarit A.B, kolegji i gjykues ka potencuar se me të drejtë është konstatuar, se me provat e proceduara në seancën e shqyrtimit gjyqësor nuk mund të vërtetohet se i njëjti ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1, 5 dhe 11 e lidhur me nenin 31 të KPRK, prandaj është vlerësuar se, nuk qëndrojnë pretendimet ankimore se është shkelur ligji penal, në dëm të akuzuarit sikur që ka pretenduar mbrojtja e të akuzuarit XH.B. Mbi bazën e rrethanave të vlerësuara nga ana e gjykatës së shkallës së parë, kolegji i gjykatës së shkallës së dytë ka konstatuar se të akuzuarit XH.B, i është shqiptuar dënim i drejtë dhe i ligjshëm, i cili është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit dhe është në funksion të preventivës gjenerale dhe individuale, ashtu që ka potencuar se me këto dënime, do të arrihet qëllimi i ndëshkimit, i paraparë me dispozitën e nenit 38 të KPRK. Ndërsa në raport me ankesën e palës së dëmtuar, përkitazi me pjesën liruese për të akuzuarin A.B, është vendosur, që e njëjta të hedhet si e palejuar.
Shih më poshtë vendimin:
https://apeli.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/AP_PAKR_2024-027038_SQ.pdf