Prishtinë, 14 mars 2024 – Në Gjykatën e Apelit të Kosovës, u mbajt takimi i përfaqësuesve të Gjykatës Supreme, të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatave Themelore, me ekipin për vlerësimin e sektorit të drejtësisë, INL nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, z.Michael Wasco, këshilltar i lartë ligjor dhe znj.Dafina Bardhi Rexhepi, specialiste e programit INL.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi lidhur me funksionimin e sistemit gjyqësor në Republikën e Kosovës, sfidat me të cilat ballafaqohet ky sistem dhe kohëzgjatja e trajtimit të çështjeve.
Në takim morën pjesë, nga Gjykata Supreme e Kosovës, nënkryetarja e kësaj gjykate znj.Mejreme Memaj dhe gjyqtari z. Afrim Shala, nga Gjykata e Apelit e Kosovës, kryesuesi i Departamentit Special, gjyqtari z.Vaton Durguti dhe gjyqtari z.Burim Ademi, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, kryetarja znj. Albina Shabani – Rama, nënkryetari i kësaj gjykate z. Mentor Bajraktari, dhe gjyqtarët znj. Valbona Musliu, z. Kujtim Krasniqi dhe z. Sinisa Borisavljevic, si dhe gjyqtarja znj. Ivana Milenkovic nga Gjykata Themelore në Ferizaj – dega Shtërpcë.
Programi për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatim të Ligjit (INL) në Kosovë, mbështet programet për modernizimin e institucioneve të zbatimit të ligjit në Republikën e Kosovës, për të eliminuar korrupsionin, përmirësuar shërbimet për qytetarët dhe përforcuar kapacitetet për të parandaluar dhe ndërprerë organizatat kriminale transnacionale dhe faktorët tjerë negativë që synojnë destabilizimin e vendit.