Kryetari Totaj pjesë e konferencës “Roli i Gjykatave Kombëtare në Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut”

Kryetari Totaj pjesë e konferencës “Roli i Gjykatave Kombëtare në Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut”

Prishtinë, 23 prill 2024 – Kryetari i Gjykatës së Apelit Valon Totaj, mori pjesë në konferencën “Roli i Gjykatave Kombëtare në Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut”, të organizuar nga Këshilli i Evropës, në kuadër të projektit për mbështetje të Gjykatës Kushtetuese, në zbatimin dhe përhapjen e standardeve evropiane të të drejtave të njeriut, ku me një fjalë rasti foli për rolin e gjyqësorit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në fjalën e tij Kryetari Totaj, iu adresua të pranishmëve, duke theksuar se roli i gjykatave në vënien e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, është i padiskutueshëm dhe nënkupton shtyllën dhe derën kryesore, në të cilën çdo person mund të mbështetet dhe të kërkoj drejtësi, për çfarëdo shkelje apo cënimin eventual të të drejtave të tij. I njëjti vëri në pah angazhimin e madh dhe punën profesionale të gjyqtarëve dhe staftit tjetër në këtë drejtim, duke potencuar rezultatet e kënaqëshme lidhur me trajtimin, shqyrtimin dhe zgjidhjen e çështjeve të ndryshme, të cilat kanë ndikuar në promovimin e nivelit të lartë të efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies karshi secilit qytetar dhe trajtim të barabartë të tyre. Mirëpo përkundër punës dhe angazhimit të pa kursyer, Totaj u shpreh se ekzitojnë edhe të meta në sistem.

Tutje Kryetari Totaj theksoi sfidat dhe hapat që janë ndërmarrë lidhur me ngarkesën me lëndë, duke nënvizuar kështu nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 6 të Konvetës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke potencuar se kjo ngarkesë nëpër gjykata, është njëra nga pengesat në respektimin e neneve të lartpërmendura dhe si e tillë sjell vonesat në trajtimin e lëndëve, kështu duke hapur mundësinë e shkeljeve të të drejtave të qytetarëve, përfshirë këtu pastaj edhe humbjen e besimit të tyre në sistemin gjyqësor. I njëjti citoi shkaktarët e këtyre problemeve, duke vënë në theks të veçantë administrimin jo adekuat të kërkesave të qytetarëve nga institucionet e tjera shtetërore, të cilat janë të obliguara që të përmbushin detyrimet e tyre sipas Kontratave në të cilat ato janë palë nënshkruese, duke specifikuar çështjet që rrjedhin nga kontestet e punës, respektivisht detyrimet të cilat dalin nga Kontratat Kolektive.

Totaj gjithashtu theksoi mekanizmat e ndërmarra në këtë drejtim për tejkalimin e gjendjes së ngarkesës me lëndë, ashtu që numëroi Planet Strategjike të implementuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar, duke theksuar detyrimin e gjykatave në hartimin e planeve të veprimit për zbatimin e të njëjtave dhe rëndësinë e padiskutueshme e rezultatet frytdhënëse, zbatimit i të cilave ka dhënë. Në këtë drejtim i njëjti, vëri në theks edhe çështjen se përmes një vendimi të paprecedentë deri më tani, Gjykata e Apelit në koordimin me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ka hartuar dhe implementuar Planin për rishërndarje/barazim të lëndëve nga lëmia civile, të cilat u përkasin viteve 2021 – 2022.  Ku shtoi se qëllimi i këtij plani ka të bëjë me rritjen e efikasitetit në trajtimin dhe zgjidhjen e këtyre lëndëve civile, kështu duke oftuar trajtim të barabartë të qytetarëve dhe mbrojtje nga shkelja eventuale e të drejtave të tyre, sa i’u përket afateve kohore të parapara për zgjidhejn e tyre, nga kjo gjykatë.

Në fund Kryetari Totaj, vuri theksin e veçantë në rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, për realizimin e projektve që kanë për qëllim mbështetjen e sistemit gjyqësor në Republikën e Kosovës, drejt harmonizimit të praktikës vendore me atë ndërkombëtare, si dhe qëllimin në realizimin e rolit efektiv, në vënien e drejtësisë, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në këtë konferencë njëditore, morën pjesë përfaqësues të lartë të Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përfaqësues nga sistemi gjyqësor, odës së avokatëve dhe të ftuar të tjerë nga vendet e rajonit dhe më gjerë.