Vërtetohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ndaj të akuzuarit I.G, për shkak të veprës penale vrasje e rëndë

Vërtetohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ndaj të akuzuarit I.G, për shkak të veprës penale vrasje e rëndë

Prishtinë, 8 korrik 2024, Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti për Krime të Rënda, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtëses së të akuzuarit I.G., av. Myrvete Hashani Jashari, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda PKR.nr.299/2023, të datës 17.04.2024, e ka vërtetuar.

Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.299/2023, të datës 17.04.2024, të akuzuarin I.G., e ka shpallur fajtor, për veprën penale vrasje e rëndë nga neni nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 lidhur me pikën 1.4 të KPK dhe të njëjtin e ka gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 35 (tridhjetë e pesë) vite, në të cilin dënim i është llogaritur koha e kaluar në paraburgim nga data 25.11.2022 e deri në përfundim të dënimit. Të akuzuarit I.G., i është vazhduar masa e paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar dhe të njëjtin e ka obliguar që të paguajë shpenzimet e procedurës penale, sado që të jenë sipas  llogarisë së bërë në arkë të gjykatës, ashtu që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 50 (pesëdhjetë) euro, si dhe në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 50 (pesëdhjetë) euro, të gjitha këto në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Të akuzuarit në fjalë, i ka konfiskuar armën e ftohtë – sëpata e përdorur për kryerjen e veprës penale, duke paraparë që e njëjta duhet të shkatërrohet. Ndërsa të dëmtuarën A.(I.)G., e ka udhëzuar që kërkesën pasurore juridike ta realizojnë në kontest civil.

Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti për Krime të Rënda, me aktgjykimin PAKR.nr.312/2024, të datës 04.07.2024, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtëses së të akuzuarit I.G., av. Myrvete Hashani Jashari, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda PKR.nr.299/2023, të datës 17.04.2024, e ka vërtetuar.

Në arsyetim të aktgjykimit Gjykata e Apelit, ka vlerësuar se pretendimet ankimore të mbrojtëses nuk qëndrojnë, e as që ka shkelje të tjera të dispozitave të procedurës penale, të cilat kishin për të kushtëzuar anulimin e aktgjykimit të ankimuar ngase, dispozitivi i aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, ka theksuar se është i qartë, i kuptueshëm dhe në harmoni me vetveten, si dhe me arsyet e dhëna në aktgjykim. Kolegji i gjykatës së shkallës së dytë ka konstatuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, përfshinë të gjitha faktet vendimtare të cilat e karakterizojnë veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 lidhur me pikën 1.4 të KPPK, duke shtuar se rezulton se nga ana e të akuzuarit, është kryer kjo vepër penale, e me procedimin dhe vlerësimin e të gjitha provave personale dhe materiale, është vërtetuar se në këtë çështje penale janë formuluar elementet qenësore të së njëjtës, për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor dhe i është shqiptuar dënimi përkatës ligjor. Tutje gjykata e shkallës së dytë, lidhur me aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe lidhur me shkeljet e pretenduara nga ankesa e mbrojtëses së të akuzuarit, ka ardhur në përfundim se në këtë çështje penale aktgjykimi nuk përfshihet me shkelje të ligjit penal, të parapara në nenin 385 të KPPK, ngase vepra penale për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor dhe i është shqiptuar dënimi përkatës ligjor, ka shtuar se është e paraparë në ligjin e aplikueshëm sikurse është vepra penale vrasje e rëndë. Gjithashtu Kolegji i Apelit ka potencuar se nga mënyra e kryerjes së veprës penale, gjykata e shkallës së parë, drejtë ka vlerësuar se në këtë çështje penale i akuzuari e ka kryer veprën penale nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 të KPK dhe në raport me të gjetura drejtë i është referuar pikës 1.4  të të njëjtit nen.Po ashtu, kjo gjykatë i ka refuzuar si të pabazuara pretendimet e mbrojtëses përkitazi me vendim mbi dënim,  kjo për arsye se duke marrë parë për bazë rrethanat e rastit konkret, mënyrën se si është kryer vepra penale, ka vlerësuar se rezulton që dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit, është i drejtë dhe i ligjshëm, duke konstatuar se me të njëjtin dënim do të arrihet efekti dhe qëllimi i dënimit, ashtu që do të parandalojë kryerësit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tyre, të parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave penale, të bëjë kompensimin e viktimave ose të komunitetit për humbjet ose dëmet e shkaktuara nga vepra penale dhe të shprehë gjykimin shoqëror për veprën penale, ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit, të paraparë në nenin 38 të KPK.

https://apeli.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/AP_PAKR_2024-155026_SQ.pdf