Prishet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Dega Gllogoc, lidhur me kompensimin e dëmit për shkak të shpifjes dhe lënda kthehet në rigjykim

Prishet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Dega Gllogoc, lidhur me kompensimin e dëmit për shkak të shpifjes dhe lënda kthehet në rigjykim

Prishtinë, 25 korrik 2024, Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Civil, e ka aprovuar si të bazuar ankesën e paditësit R.L, dhe ankesën e të paditurit XH.D, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Dega Gllogoc, C.nr.322/2017, të datës 15.03.2018, e ka prishur, ashtu që lënda i është kthyer të njëjtës gjykatë në rigjykim.

Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Dega Gllogoc, C.nr.322/2017, të datës 15.03.2018, paditësit R.L, lidhur me çështjen kontestimore kompensim dëmi për shkak të shpifjes i është aprovuar pjesërisht si e bazuar kërkesëpadia, ashtu që i padituri XH.D, është detyruar që paditësit t’ia kompensoj dëmin jomaterial të pësuar me rastin e publikimit të deklaratës dhe faktit të pavërtetë shumën prej 2,600.00 €, për shkak të dëmtimit të reputacionit me kamatë prej 8%  llogaritur nga dita e marrjes së aktgjykimit, si dhe shpenzimet e procedurës në shumën prej 270 €, duke detyruar që të gjitha këto shpenzime i padituri t’ia paguaj paditësit në afatin prej 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit nën kanosjen e përmbarimit ligjor. Në pikën II të dispozitivit i padituri XH.D, është detyruar që menjëherë pas pranimit të aktgjykimit ta tërheq informacionin shpifës prej llogarisë së tij në facebook me përmbajtjen “Bizneseve të Drenasit u’a ktheu shpinën duke i dënuar e shantazhuar (sepse ishin “identifikuar” si votues të tij)” , nën paralajmërimin e pasojave ligjore. Ndërsa në pikën III të dispozitivit të aktgjykimit e ka refuzuar si të pabazuarpjesën tjetër të kërkesëpadisë së paditësit në shumën prej 5,000.00 € në emër të dëmit material, për shkak të rrezikimit të ekzistencës materiale si dhe pjesën e kërkesëpadisë mbi shumën e gjykuar si në pikën I të dispozitivit përkatësisht shumën prej 2,400.00 €, në emër të dëmit jo material të pësuar nga publikimi i deklaratës së pavërtetë apo shumën e përgjithshme të refuzuar prej 7,400.00 €, si dhe shumën prej 208 € për shpenzimet e procedurës.

Gjykata e Apelit e Kosovës me aktgjykimin AC.nr.2900/2021, të datës 22.07.2024, e ka aprovuar si të bazuar ankesën e paditësit R.L, dhe ankesën e të paditurit XH.D, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Dega Gllogoc, C.nr.322/2017, të datës 15.03.2018, e ka prishur, ashtu që lënda i është kthyer të njëjtës gjykatë në rigjykim.

Në arsyetim të aktgjykimit gjykata e shkallës së dytë, ka vlerësuar se aktgjykimi i ankimuar është përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182 paragrafi 2, pika n), dhe o), dhe neni 202 i Ligjit nr.03/L-006 për Procedurën Kontestimore, duke theksuar se i njëjti është kontradiktor si dhe i mungojnë arsyet lidhur me faktet vendimtare mbi të cilat gjykata është bazuar kur e ka marrë aktgjykimin në fjalë, duke potencuar se i njëjti si i tillë ka të meta. Tutje kolegji i apelit ka shtuar se aktgjykimi i atakuar është kontradiktor me vetën e tij, duke vënë theksin tek pika I e dispozitivit të aktgjykimit, në të cilin ka shtuar se nuk dihet se për çfarë ka vendosur gjykata e shkallës së parë për çështjen kryesore, e për çfarë ka vendosur për çështjen aksesore. Gjithashtu Gjykata e Apelit ka konstatuar se gjatë vendosjes gjykata e shkallës së parë ka bërë edhe shkelje të nenit 182 paragrafi 2 pika o) të LKP, pasi që e njëjta, sipas kolegjit gjykues nuk ka vendosur sikurse ka kërkuar pala paditëse në padinë e dorëzuar në gjykatën e shkallës së parë, si dhe bazuar në fjalën përfundimtare të deklaruar në seancën gjyqësore të mbajtur me datë 02.03.2021, andaj duke u bazuar në këto, kolegji gjykues ka vlerësuar që aktgjykimi i atakuar duhet të prishet dhe çështja të kthehet në rigjykim.

Si përfundim gjykata e shkallës së dytë, ka theksuar nevojën që gjykata e shkallës së parë, në rigjykim, të evitojë të metat e sipërpërmendura dhe pas vërtetimit të drejtë dhe të plotë të gjendjes faktike dhe rrethanave të theksuara të merr vendim të drejtë, i cili vendim është theksuar  se duhet të përmbajë dispozitiv të kuptueshëm, arsyetim të kuptueshëm, çështjen lidhur me atë se cilat fakte janë vërtetuar, duke marrë kështu vendim të bazuar në ligj.