Prishtinë, 25 shtator 2024, Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe sipas detyrës zyrtare e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.191/2020, të datës 26.02.2024, duke e shpallur fajtor të akuzuarin G.E., dhe atë për veprat penale të vrasjes së rëndë nga neni 147 paragrafi 1 pika 4 dhe 9 të KPPK dhe shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 291 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të KPPK, si dhe duke e gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej njëzetekatër (24) viteve, duke përfshirë këtu edhe dënimin plotësues të cekur si në dispozitiv.
Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda, me aktgjykimin, PKR.nr.191/2020, i datës 26.02.2024, të akuzuarin G.E., e ka liruar nga aktakuza për veprat penale, vrasje e rëndë nga neni 147 paragrafi 1 pika 4 dhe 9 të KPPK dhe shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 291 paragrafi 5, lidhur me paragrafin 1 të KPPK, pasi që nuk është provuar se i njëjti ka kryer këto vepra penale për të cilat është akuzuar.
Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, me aktgjykimin APS.nr.18/24, të datës 20.09.2024, e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që e ka ndryshuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, duke e shpallur fajtor të akuzuarin dhe duke i shqiptuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej njëzetekatër (24) viteve, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 25.10.2016, e deri më datë 30.11.2023, si dhe dënimin plotësues lidhur me konfiskimin e një pistolete, me urdhër ndaj Stacionit Policor në Pejë, që pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi ta bëjë shkatërrimin e armës dhe municionit. Po ashtu të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit dhe për këtë është paraparë të lëshohet aktvendim i veçantë.
Në arsyetimin e dhënë kolegji penal i Gjykatës së Apelit, vlerësoi se gjykata e shkallës së parë gabimisht ka vërtetuar gjendjen faktike, e kjo për shkak të konkluzioneve të gabuara që janë nxjerrë nga kjo gjykatë kur të akuzuarin e ka liruar tërësisht nga akuza, ngase ka konstatuar se në veprimet e të akuzuarit G.E., konsumohen elementet e veprave penale, vrasje e rëndë nga neni 147 paragrafi 1, pika 4 dhe 9 të KPPK dhe shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 291 paragrafi 5, lidhur me paragrafin 1 të KPPK, dhe se për të njëjtin gjeti se ka prova të mjaftueshme që dëshmojnë se ka kryer veprat penale të lartcekura. Tutje është theksuar se nga provat e administruara vërtetohet se ka ekzistuar dashja për ta privuar nga jeta të dëmtuarin V.K. dhe se i ndjeri B. Sh., ishte privuar nga jeta si rezultat i asaj që ishte në afërsi me V.., pra me dashje eventuale, ashtu që është vlerësuar se i akuzuari ka qenë i vetëdijshëm se mund të shkaktoheshin pasoja si rezultat i veprimeve të tij.
Kolegji gjykues ka vërejtur se gjykata e shkallës së parë duke vepruar sipas rekomandimit të Gjykatës Supreme, në rigjykim ka dëgjuar përsëri ekspertin e angazhuar në këtë çështje penale, për çka është vërtetuar se i akuzuari kishte përdorur të njëjtën armë brenda lokalit dhe jashtë lokalit gjatë ikjes. Tutje, vërtetohet se i akuzuari gjatë ikjes e kishte përdorur edhe armën e cila i është gjetur të akuzuarit nën jastëk natën kritike, e po ashtu, nga dëshmitë e të gjithë dëshmitarëve është vërtetuar se natën kritike brenda diskotekës nuk kishin parë persona të tjerë që kishin gjuajtur me armë atë natë përveç personit të cilin e kishte ndjekur H.B., për derisa ai po ikte.
Ndër tjerash, gjykata ka marrë për bazë faktin që përshkrimet në forma të ndryshme nga ana e dëshmitarëve lidhur me identifikimin e personit që kishte shtënë me armë brenda diskotekës në natën kritike, janë kontradiktore me njëra tjetrën, si rezultat i ndriçimit të dobët që ishte brenda në diskotekë, andaj nuk i ka dhënë rëndësi vendimtare, ngase nga dëshmitë e tyre del se nga frika nuk kishin qëllim identifikimin e personit që po gjuante por mbrojtjen e jetës së tyre, sepse pothuajse të gjithë dëshmitarët kanë deklaruar se në ato momente ishin shtrirë për toke për t’u mbrojtur.
Gjithashtu, Gjykata e Apelit nga provat të cilat janë administruar në shqyrtimin gjyqësor, ka ardhur në përfundim se nuk mund t’i falet besimi mbrojtjes së të akuzuarit G.E., të dhënë gjatë seancës së shqyrtimit gjyqësor në gjykatën e shkallës së parë ku e mohon kryerjen e veprave penale, ngase sipas vlerësimit të kësaj gjykate kjo është bërë thjeshtë me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe se mbrojtja e tij është në kundërshtim me të gjitha provat të cilat janë administruar në shqyrtim gjyqësor nga gjykata shkallës së parë, e po ashtu në kundërshtim edhe me vet deklaratën e tij të dhënë në Stacionin Policor në Pejë, derisa kjo gjykatë ka vërtetuar se raportet ndërmjet familjes K… dhe familjes E… kanë qenë raporte të këqija dhe me këtë rast është vërtetuar se hakmarrja ka qenë motivi i kryerjes së veprës penale të vrasjes së rëndë si në pikën I. të dispozitivit të këtij aktgjykimi.
Marrë për bazë të gjitha këto, Gjykata Apelit ka ardhur në përfundim se me dënimin unik me burgim të shqiptuar si në dispozitiv të këtij aktgjykimi, do të arrihet efekti dhe qëllimi i dënimit nga neni 34 i KPPK dhe ka konsideruar se ky dënim si i tillë është në proporcion me veprat penale të kryera dhe me rrethanat personale të cilat i posedon i akuzuari, ku do të ndikoj në parandalimin e të akuzuarit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe do të bëjë rehabilitimin e tij, e po ashtu, do të parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave penale dhe do të shprehë gjykimin shoqëror për veprën penale, ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit.
Krejt në fund, bazuar në nenet 451 paragrafi 1 dhe 453 të KPPK dhe konform nenit 39 paragrafi 3 nënparagrafi 3.2 të Ligjit Nr.05/L-036 për Kompensimin e Viktimave të Krimit, kjo gjykatë ka vendosur që i akuzuari t’i paguaj shpenzimet e procedurës penale, shpenzimet e paushallit gjyqësor si dhe shpenzimet për programin për kompensimin e viktimave të krimit, si në dispozitiv të këtij aktgjykimi, si dhe ka vendosur që të dëmtuarit, për realizimin e kërkesës pasurore juridike të udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil, ngase të dhënat e mbledhura në procedurë penale nuk kanë paraqitur bazë të sigurt për gjykimin e plotë e as të pjesshëm të kësaj kërkese.
Aktgjykimi i anonimizuar në linkun:
https://apeli.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/AP_APS_2024-132919_SQ.pdf