Ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, ndaj të akuzuarve L.D., K.H. dhe O.H., ndërsa i dëmtuar në këtë rast gazetari V.S.

Ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, ndaj të akuzuarve L.D., K.H. dhe O.H., ndërsa i dëmtuar në këtë rast gazetari V.S.

Prishtinë, 30 shtator 2024, Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, ka aprovuar pjesërisht ankesat e mbrojtësve të akuzuarve L.D., av. Mimoza Zabeli Sinani, K.H., av. Ridvan Kajtazi dhe O.H., av. Rrahim Ajeti, si dhe ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.36/23, të datës 07.12.2023, përkitazi me sanksionin penal, ku të akuzuarit e lartcekur për veprën penale për të cilën janë shpallur fajtor, atë të lëndimit të lehtë trupor, nga neni 185 paragrafi 3 nënparagrafi 3.l lidhur me paragrafin 1 e nenin 31 të KPRK, i ka gjykuar secilin veç e veç me dënim me burgim në kohëzgjatje prej një (1) viti e gjashtë (6) muaj, në të cilën dënim do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, nga data 12.04.2023 e deri më 07.12.2023, kurse pjesën tjetër të aktgjykimi të ankimuar nuk e ka ndryshuar.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktgjykimin PS.nr.36/23, të datës 07.12.2023, të pandehurit e lartcekur i ka shpallur fajtor për shkak të veprës penale lëndimi i lehtë trupor nga neni 185 paragrafi 3 nënparagrafi 3.l lidhur me paragrafin 1 e nenin 31 të KPRK dhe secilit veç e veç iu ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite, ku do t’iu llogaritet koha e kaluar në masën e paraburgimit dhe në masën e arrestit shtëpiak, dhe atë prej datës 12.04.2023 e deri më 07.12.2023, i cili dënim do të ekzekutohet pasi që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.

Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, me aktgjykimin APS.nr.16/24, të datës 09.09.2024, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa ka aprovuar pjesërisht ankesat e mbrojtësve të akuzuarve L.D., av. Mimoza Zabeli Sinani, K.H., av. Ridvan Kajtazi dhe O.H., av. Rrahim Ajeti, duke e ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.36/23, të datës 07.12.2023, përkitazi me sanksionin penal, ku të akuzuarit e lartcekur i ka gjykuar secilin veç e veç me dënim me burgim në kohëzgjatje prej një (1) viti e gjashtë (6) muaj, në të cilin dënim do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, nga data 12.04.2023 e deri më datë 07.12.2023, kurse pjesën tjetër të aktgjykimi të ankimuar nuk e ka ndryshuar. 

Në arsyetim të aktgjykimit gjykata e shkallës së dytë, ka vlerësuar se aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë në shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 të KPP, nga fakti se dispozitivi është i qartë dhe i kuptueshëm, pasi që në të përfshihen të gjitha rrethanat dhe elementet që përbëjnë figurën e veprës penale për të cilën janë shpallur fajtor të akuzuarit e lartcekur dhe si i tillë është në përputhje të plotë me arsyetimin e tij, në të cilin janë paraqitur arsyet e plota dhe të qarta për faktet vendimtare, së bashku me arsyet me rastin e zgjidhjes së çështjeve juridike të kësaj çështje penale, ndërsa nuk përmban asnjë shkelje tjetër e cila kishte për të kushtëzuar anulimin e detyrueshëm të aktgjykimit të ankimuar.

Sa i përket pretendimeve ankimore përkitazi me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve, kjo gjykatë ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejtë dhe ligjshëm, duke marrë aktgjykim me të cilin të akuzuarit i ka shpallur fajtor ngase në veprimet e të akuzuarve janë përmbushur elementet e veprës penale të lartcekur.

Krejt në fund, kjo gjykatë vlerëson se dënimi i shqiptuar si në dispozitiv të këtij aktgjykimi është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale nga të akuzuarit, shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarve dhe me intensitetin e rrezikimit dhe pasojës – lëndimeve trupore të shkaktuara të dëmtuarit, andaj me këtë dënim do të arrihet qëllimi i dënimit konform nenit 38 të KPRK.

Aktgjykimi i anonimizuar në linkun:

https://apeli.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/AP_APS_2024-124710_SQ.pdf