Gjykata e Apelit vërteton aktgjykimin e Departamentit Special, në të cilin lirohen nga akuza J.D. dhe S.S., për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile

Gjykata e Apelit vërteton aktgjykimin e Departamentit Special, në të cilin lirohen nga akuza J.D. dhe S.S., për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile

Prishtinë, 5 nëntor 2024 – Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PPS.nr.12/2024, të datës 18.06.2024.

Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, sipas aktgjykimit PPS.nr.12/2024, të datës 18.06.2024,  i ka liruar nga akuza, të pandehurit J.D. dhe S.S., për shkak të veprës penale krime lufte kundër popullatës civile, sipas nenit 22 dhe 142 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje KPRSFJ), e që në kohën kur është ngritur aktakuza ishte penalizuar me nenet 31 dhe 152 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (Kodi 04/L-082), tutje (KPRK), e cila është në kundërshtim me nenin 3 të përbashkët dhe nenin 4 të protokollit shtesë II dhe të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të brendshëm të armatosur në Kosovë, për shkak se nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale.

Në arsyetim të aktgjykimit, gjykata e shkallës së dytë ka vlerësuar pretendimet ankimore të prokurorisë, lidhur me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe ka ardhur në përfundim se aktgjykimi i ankimuar nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, qofshin shkelje që kujdeset sipas detyrës zyrtare vet gjykata apo qofshin shkelje që pretendohen në ankesën e prokurorisë. Po ashtu, lidhur me këto pretendime, kolegji gjykues ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë në pjesën e dispozitivit ka përshkruar të gjitha rrethanat e fakteve dhe se nuk ka asnjë kundërthënie në veten e tij, e as në raport me dispozitat ligjore që u janë ngarkuar të pandehurve për veprën penale të lartcekur.

Sa i përket pretendimeve ankimore të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, gjykata e shkallës së dytë fillimisht ka konstatuar se në ankesën e prokurorisë nuk ka pretendim konkret se cili fakt apo fakte nuk janë vërtetuar drejtë apo në mënyrë të plotë, ashtu që ka vlerësuar se gjendja faktike është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë. Ndërsa, lidhur me pretendimet e prokurorisë për shkelje të ligjit penal, kjo gjykatë ka pasur parasysh se shkalla e parë përveç se ka zbatuar drejtë ligjin penal ka dhënë arsye të shumta e në detaje për zgjidhjen e çështjeve ligjore që i ka bërë me rastin e marrjes së vendimit të tillë, duke iu referuar edhe praktikës ndërkombëtare, më konkretisht zbatimit të dispozitave që ndërlidhen me nenin 3 dhe 4 i përbashkët për katër konventat e Gjenevës, në raport me nivelin e pasojave të cilat rezultojnë nga dhuna apo tortura, e që në rastin konkret nuk rezulton asnjë nivel i pasojave të jetë provuar, për shkak se nuk dihet fare personi ndaj të cilit pretendohej se ishte ushtruar dhunë.

Andaj, kolegji gjykues vlerëson se gjykata e shkallës së parë ka zbatuar drejtë ligjin penal kur ka ardhur në përfundimin se nuk është provuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale.

Akgjykimi i anonimizuar në linkun:

https://apeli.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/AP_APS_2024-207730_SQ.pdf