Prishtinë, 13 dhjetor 2024– Gjykata e Apelit e Kosovës, në bazë të ankesës të mbrojtësit së të akuzuarit D.G., ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.8/21, të datës 07.09.2023, në pikën I. të dispozitivit të tij, sa i përket veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK, duke e kthyer këtë pjesë të aktgjykimit në rigjykim, ndërsa ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke e vërtetuar pikën II. dhe III. të këtij aktgjykimi, dhe atë në pjesën liruese, për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK dhe privim i kundërligjshëm i lirisë nga neni 196 paragrafi 3 të KPRK, ndaj të akuzuarve V.K. dhe Rr.S.
Gjykata Themelore në Prishtinë–Departamenti Special, sipas aktgjykimit PS.nr.8/21, të datës 07.09.2023, ka shpallur fajtor të akuzuarin D.G., për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK dhe e ka gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) vite e 8 (tetë) muaj i cili dënim nuk do të ekzekutohet deri sa aktgjykimi të bëhet i formës së prerë. Gjithashtu të njëjtit i është caktuar dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksionit në administratë publike ose në shërbime publike pas mbajtjes së dënimit me burgim. Po me të njëjtin aktgjykim, i ka liruar nga akuza V.K, për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK dhe Rr.S., për shkak të veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK dhe privimi i kundërligjshëm i lirisë nga neni 196 paragrafi 3 të KPRK.
Në arsyetim të aktgjykimit, gjykata e shkallës së dytë i ka vlerësuar si të bazuara pretendimet e mbrojtësit së të akuzuarit D.G., lidhur me shkeljet esenciale të dispozitave procedurale, si dhe sipas detyrës zyrtare ka vlerësuar se aktgjykimi i ankimuar përkitazi me pikën I. të dispozitivit, për sa i përket veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK, ndaj të akuzuarit të lartcekur, ka shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, për çka aktgjykimi i ankimuar në këtë pjesë është anuluar nga kolegji gjykues dhe çështja i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe vendosje.
Ndërsa, kolegji gjykues lidhur me pretendimet ankimore përkitazi me pikën II. dhe III. të dispozitivit të aktgjykimit të shkallës së parë, ka konstatuar se nuk përmban shkelje të dispozitave procedurale, ngase të dy dispozitivat e këtij aktgjykimi janë të qartë, të kuptueshëm dhe konkret e në përputhshmëri të plotë edhe me arsyetimin dhe përpilimin e të njëjtave, andaj përfundimisht kolegji gjykues pajtohet me përfundimin e gjykatës së shkallës së parë, se nga të gjitha provat e administruara personale dhe materiale nuk është arritur të vërtetohet se të akuzuarit V.K. dhe Rr.S., kanë kryer veprat penale me të cilat janë ngarkuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, ashtu që pikën II. dhe III. të këtij aktgjykimi e ka vërtetuar.
Për më tepër, vendimi i anonimizuar në linkun:
https://apeli.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/AP_APS_2023-252490_SQ.pdf