Prishtinë, 20 dhjetor 2024 – Gjykata e Apelit e Kosovës, ka aprovuar ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe të mbrojtësit së të akuzuarës M.B., si dhe sipas detyrës zyrtare ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.339/2023, të datës 25.03.2024, duke e kthyer çështjen penale në rigjykim.
Gjykata Themelore në Prishtinë–Departamenti për Krime të Rënda, sipas aktgjykimit PKR.nr.339/2023, të datës 25.03.2024, i ka liruar nga akuza: L.K. për veprat penale në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, ushtrimi i ndikimit nga neni 424 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPK, në bashkëkryerje keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas nenit 414 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPK, dhe mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare nga neni 430 paragrafi 2 të KPK; L.K. dhe F.D. në bashkëkryerje për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga nenit 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPK; M.B. për veprën penale blerja, pranimi ose fshehja e sendeve te përfituara me kryerjen e veprës penale, nga neni 333 paragrafi 1 të KPK. Ndërsa, M.B. e ka shpallur fajtore për veprën penale falsifikimi i dokumenteve, nga neni 390 paragrafi 1 të KPK, duke i shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 3.000 (tremijë) euro, i cili dënim do të ekzekutohet brenda afatit prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Në dënimin e shqiptuar me gjobë, i është llogaritur koha e kaluar nën masën e arrestit shtëpiak, nga data 01.03.2021 e deri më 31.03.2021.
Gjykata e shkallës së dytë ka vlerësuar se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, si dhe shkelje të tjera të cilat kushtëzojnë anulimin e tij. Pra, aktgjykimi është i pa qartë, në dispozitiv të të njëjtit i pa kuptueshëm dhe nuk është në harmoni me asnjë pikë të dispozitivit të aktgjykimit, që nënkupton se përmban shkelje esenciale të dispozitave ligjore, për të cilat kjo gjykatë përkujdeset edhe sipas detyrës zyrtare.
Ndër të tjera, kolegji gjykues ka vlerësuar se si pasojë e ekzistimit të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, aktgjykimi i ankimuar ka edhe shkelje të ligjit penal dhe vërtetim jo të plotë e të drejtë të gjendjes faktike.
Në arsyetim të aktvendimit të gjykatës së shkallës së dytë, PAKR.nr.284/2024, janë dhënë udhëzime përkatëse ndaj gjykatës së shkallës së parë, ashtu që të eliminohen shkeljet e evidentuara, të nxjerrën prova të tjera të cilat janë domethënëse në zgjedhjen e kësaj çështjeje penale, ndërsa vendimi lidhur me sendet të cilat janë të përfshira në kryerjen e veprave penale, të vendoset pasi që çështja penale të zgjidhet.
Vendimi i anonimizuar në linkun:
https://apeli.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/AP_PAKR_2024-132916_SQ.pdf