Prishtinë, 10 mars 2025 – Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr. 48/2023, të datës 04.12.2023, e ka vërtetuar.
Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.48/2023, të datës 04.10.2023, të akuzuarin D.G., e ka liruar nga akuza, për shkak të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje, nga neni 422 paragrafi 1 dhe 2 nënparagrafi 2.1 dhe 2.3 lidhur me nenin 31 të KPRK, dhe për shkak të veprave penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 paragrafi 1 dhe nënparagrafi 2.2 dhe 2.4 të KPRK dhe marrje e ryshfetit, nga neni 428 paragrafi 2 dhe 3 të KPRK, pasi që nuk është provuar se i pandehuri i lartcekur të ketë kryer veprat penale me të cilat akuzohet.
Në arsyetim të aktgjykimit, gjykata e shkallës së dytë ka vlerësuar pretendimet ankimore të prokurorisë, lidhur me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, por edhe sipas detyrës zyrtare dhe ka ardhur në përfundim se aktgjykimi i ankimuar nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, qofshin shkelje që kujdeset sipas detyrës zyrtare vet gjykata apo shkelje që pretendohen në ankesën e prokurorisë, e të cilat do të kushtëzonin anulimin e aktgjykimit.
Sa u përket pretendimeve ankimore të prokurorisë për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, kolegji gjykues ka konstatuar se drejtë dhe në mënyrë të plotë është vërtetuar gjendja faktike dhe se aktgjykimi me të cilin i pandehuri është liruar nga akuza është i drejtë dhe i ligjshëm. Ndërsa, lidhur me pretendimet ankimore të prokurorisë sa i përket shkeljes së ligjit penal, Gjykata e Apelit i ka vlerësuar si të pabazuara, për faktin se aktgjykimi i ankimuar nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe duke qenë se i njëjti është i arsyetuar mirë me provat e administruara, gjendja faktike rezulton se është vërtetuar në mënyrë të drejtë, rrjedhimisht duke qenë se pretendimi për shkelje të ligjit penal mbështetet mbi pretendimet për shkelje të natyrave tjera e që gjykata i ka gjetur se as ato shkelje nuk ekzistojnë, atëherë kolegji gjykues ka ardhur në përfundim se gjykata e shkallës së parë ka zbatuar drejtë ligjin penal dhe se nuk është provuar se i pandehuri i lartcekur të ketë kryer veprat penale për të cilat është akuzuar.
Akgjykimi i anonimizuar në linkun:
https://apeli.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/AP_APS_2024-164810_SQ.pdf