Prishtinë, 27 mars 2025 – Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PKR.nr. 40/2018, të datës 20.09.2023, e ka vërtetuar.
Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PKR.nr.40/2018, të datës 20.09.2023, të akuzuarit: G.B., F.Sh., H.S., B.G., F.H., K.P., H.Q., A.K., E.P., E.H., A.P., N.M., D.K., A.B., Xh.K., L.P., R.M., për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje, nga neni 422 paragrafi 1 dhe 2, nënparagrafi 2.1 dhe 2.3 lidhur me nenin 31 të KPRK, si dhe të akuzuarit: G.B., N.R., A.K., S.Gj., F.S., L.K., H.S., B.Z., R.E., H.H., B.G., F.S., A.L., A.B., H.Q., G.B., B.M., D.M., B.K., F.S., M.G., M.S., Sh.Sh., F.H., K.P., B.G., B.P., F.Sh., M.A., I.A., P.A., A. S., S.Sh. dhe L.P., për shkak të veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar secili veç e veç nga neni 422 paragrafi 1 dhe 2, nënparagrafi 2.2 dhe 2.4 të KPRK dhe veprës penale marrje e ryshfetit secili veç e veç nga neni 428 paragrafi 2 dhe 3 të KPRK, i ka liruar, pasi që nuk është provuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale me të cilat akuzohen.
Në arsyetim të aktgjykimit, gjykata e shkallës së dytë ka vlerësuar pretendimet ankimore të prokurorisë, lidhur me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, por edhe sipas detyrës zyrtare dhe ka ardhur në përfundim se aktgjykimi i ankimuar nuk është i përfshirë në shkelje nga neni 384 paragrafi 1 dhe as në shkelje nga neni 384 paragrafi 2, nën paragrafi 2.7 që i pretendon prokuroria në ankesë e te cilat do të kushtëzonin anulimin e aktgjykimit, si dhe arsyet e dhëna nga gjykata e shkallës së parë lidhur me të provuarit se të pandehurit nuk kanë kryer veprat penale që u ngarkoheshin sipas akuzës, Gjykata e Apelit i ka vlerësuar si të drejta.
Sa u përket pretendimeve ankimore të prokurorisë për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, kolegji gjykues ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë drejtë dhe në mënyrë të plotë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe se të drejta e të ligjshme i konsideron përfundimet e nxjerra që nuk është provuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkoheshin, andaj rrjedhimisht nuk rezulton as shkelje e ligjit penal, për çka ka vlerësuar se drejtë është zbatuar ligji penal nga ana e gjykatës së shkallës së parë.
Akgjykimi i anonimizuar në linkun:
https://apeli.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/AP_APS_2024-143198_SQ.pdf