Prishtinë, 2 korrik 2024, Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti për Krime të Rënda, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të pandehurve V.P av. Shemsedin Thaqi, A.P av. Muhamet Ibraj, I.P av. Fitim Klinaku dhe I.H av. Migjen Mekaj, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, DKR.PP.nr.108/2023, të datës 22.06.2024, e ka vërtetuar.
Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, DKR.PP.nr.108/2023, të datës 22.06.2024, të pandehurve V.P, A.P dhe I. P, për shkak të dyshimit të bazuar se kishin për të kryer veprën penale Fajdeja nga neni 331 paragrafi 3 lidhur me paragrafi 1 dhe nenin 31 dhe 77 të KPRK, veprën penale Detyrimi nga neni 328 paragrafi 2 lidhur me paragrafi 1 dhe nenin 77 të KPRK dhe veprën penale Rrëmbimi nga neni 191 paragrafi 2 nënparagrafi 2.1 dhe 2.2 lidhur me paragrafi 1 të KPRK dhe ndaj të pandehurit I.H, për shkak të dyshimit të bazuar se kishte për të kryer veprën penale Detyrimi nga neni 328 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të KPRK, u ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 (tridhjetë) ditësh, e cila masë do t’u llogaritet nga data 20.06.2024 deri më datë 20.07.2024. Të pandehurve në fjalë masa e paraburgimit u është caktuar, konform dispozitave ligjore të nenit 184 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK.
Gjykata e Apelit e Kosovës me aktvendimin PN1.DKR.nr.624/2024, të datës 01.07.2024, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të pandehurve V.P av. Shemsedin Thaqi, A.P av. Muhamet Ibraj, I.P av. Fitim Klinaku dhe I.H av. Migjen Mekaj, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, DKR.PP.nr.108/2023, të datës 22.06.2024, e ka vërtetuar. Në rastin konkret kolegji i gjykatës së shkallës së dytë, ka vlerësuar se me lënien e të pandehurve në liri, do të ekzistojë rreziku që të njëjtit të përsërisin veprat penale, të kryejnë vepra të tjera penale, të ndikojnë tek dëshmitarët apo të largohen nga Republika e Kosovës, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale për veprat për të cilat janë duke u hetuar, andaj kanë konstatuar se caktimi i masës së paraburgimit ndaj të pandehurve në fjalë është i domosdoshëm, me qëllim të zhvillimit me sukses të kësaj procedure penale, andaj edhe ankesat e mbrojtësve të pandehurve i ka refuzuar si të pabazuara.