Gjykata e Apelit e Kosovës ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ndaj të akuzuarit N.S

Gjykata e Apelit e Kosovës ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ndaj të akuzuarit N.S

Prishtinë, 4 korrik 2024, Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti për Krime të Rënda, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda PKR.nr.654/22, të datës 29.03.2024, e ka vërtetuar.

Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda PKR.nr.654/22, të datës 29.03.2024, të akuzuarin N.S, për shkak të veprës penale vrasje e rëndë nga neni nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 të KPRK, e ka gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje 24 (njëzet e katër) vite, ndërsa për shkak të veprës penale mbajtja në pronësi, kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK, e ka gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite, respektivisht të njëjtit, duke u bazuar në nenit 76 të KPRK, i ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 25 (njëzet e pesë) vite, në të cilën dënim i ka llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim nga data 13.06.2022, e deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, dënim ky i cili do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë aktgjykimit. Të akuzuarit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues, lidhur me konfiskimin e armës së zjarrit, si mjet me të cilin është kryer vepra penale. Gjithashtu të njëjtin e ka obliguar që të paguajë shpenzimet e procedurës penale sipas llogaritjes përfundimtare të gjykatës, ndërsa në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 200 (dyqind) euro, si dhe në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 50 (pesëdhjetë) euro, të gjitha këto në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti për Krime të Rënda, me aktgjykimin PAKR.nr.308/24, të datës 28.06.2024, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda PKR.nr.654/22, të datës 29.03.2024, e ka vërtetuar. Kolegji i Gjykatës së Apelit, ka vlerësuar se pretendimet ankimore nuk qëndrojnë e as që ka shkelje të tjera të dispozitave të procedurës penale, për të cilat sipas detyrës zyrtare është kujdesur kjo gjykatë, e të cilat kishin për të kushtëzuar anulimin e aktgjykimit të ankimuar, ngase sikurse dispozitivi ashtu edhe arsyetimi i  aktgjykimit të shkallës së parë është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret, duke potencuar se i njëjti është në përputhshmëri të plotë edhe me arsyetimin, ashtu që duke vënë në theks se edhe përpilimi i dispozitivit është bërë konform dispozitave të nenit 369 paragrafi 4 e lidhur me nenin 364 të KPPRK, ku janë përfshirë të gjitha faktet dhe rrethanat përkitazi me ngjarjen kritike, fakte dhe rrethana këto nga të cilat plotësohen të gjitha elementet objektive dhe subjektive të veprës penale vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 3 të KPRK, dhe veprës penale mbajtja në pronësi, kontrolle ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK, për të cilat i akuzuari N. S. edhe është shpallur fajtor. Tutje gjykata e shkallës së dytë, ka theksuar se në dispozitivin e aktgjykimit të ankimuar, përveç që janë përshkruar të gjitha veprimet inkriminuese të akuzuarit, përkitazi me mënyrën se si është kryer vepra penale në fjalë, ku haptazi rezulton se nuk bëhet fjalë për afekt mendor, e as mënyrë aksidentale, sikur që pretendon mbrojtësi i të akuzuarit, ngase me asnjë veprim të vetëm të tani të ndjerit nuk rezulton se i akuzuari, është sulmuar, keqtrajtuar apo fyer, po ashtu kolegji i Apelit ka vlerësuar se janë përshkruar edhe veprimet inkriminuese që përbëjnë formën cilësuese të veprës penale të vrasjes,  për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor. Sa i përket pretendimeve ankimore përkitazi me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë edhe gjendjen faktike në këtë çështje penale e ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë, për faktin se me provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor si ato personale dhe materiale, me pa mëdyshje është vërtetuar se ditën kritike i akuzuari N.S., ka ndërmarrë veprime konkrete inkriminuese në drejtim të kryerjes së veprës penale nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 3 të KPRK dhe veprës penale nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK. Ashtu që ka konstatuar se mbi bazën e vërtetimit të gjendjes faktike, gjykata e shkallës së parë drejtë ka aplikuar edhe ligjin penal, duke shtuar se nuk qëndrojnë as pretendimet ankimore se është shkelur ligji penal në dëm të akuzuarit, sikur që pretendon mbrojtja e të akuzuarit. Tutje kolegji i shkallës së dytë, i ka refuzuar si të pa bazuar pretendimet e prokurorisë dhe të mbrojtësit përkitazi me vendim mbi dënim,  kjo për arsye se duke marrë parë për bazë rrethanat e rastit konkret, mënyrën se si është kryer vepra penale, por edhe rrethana lehtësuese dhe rënduese të konstatuara dhe të vlerësuara nga gjykata e shkallës së parë, ky kolegj ka vlerësuar se rezulton se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit është i drejtë, i ligjshëm dhe është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale, me shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit, e po ashtu edhe në funksion të preventivës gjenerale e individuale dhe se me këtë dënim do të arrihet qëllimi i dënimit i paraparë me dispozitat e nenit 38 të KPRK.

https://apeli.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/AP_PAKR_2024-145742_SQ.pdf