Prishtinë, 29 tetor 2024–Gjykata e Apelit e Kosovës, në bazë të ankesave të Prokurorisë Themelore në Gjakovë–Departamenti për Krime të Rënda, përfaqësuesit të autorizuar të palëve të dëmtuara, S.A. dhe O.B., av.Ismet Tofaj, si dhe mbrojtësit së të akuzuarit B.B., av.Nuhi Krasniqi, e po ashtu sipas detyrës zyrtare, ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë-Departamenti për Krime të Rënda, të dt.18.06.2024, duke e kthyer çështjen penale në rigjykim.
Gjykata Themelore në Gjakovë–Departamenti për Krime të Rënda, sipas aktgjykimit me numër të lëndës 2023:099105, të dt.18.06.2024, ka shpallur fajtor të akuzuarin B.B., për veprat penale vrasje e rëndë, nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.8 të KPK, si dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve, nga neni 366 paragrafi 1 të KPK, duke i shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 21 (njëzetenjë) vite, në të cilin dënim i është llogaritur koha e kaluar në paraburgim prej dt.28.04.2023, e tutje, por jo më shumë se sa dënimi i shqiptuar me burgim.
Gjykata e Apelit e Kosovës-Departamenti për Krime të Rënda, me aktvendimin PAKR.nr.465/2024, të dt. 03.10.2024, e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë-Departamenti për Krime të Rënda, të dt.18.06.2024, duke e kthyer çështjen penale në rigjykim, ndërsa ankesat e Prokurorisë Themelore në Gjakovë–Departamenti i Krimeve të Rënda, përfaqësuesit të autorizuar të palëve të dëmtuara, S.A. dhe O.B., av.Ismet Tofaj, si dhe mbrojtësit së të akuzuarit B.B., av.Nuhi Krasniqi, i ka vlerësuar tani për tani si jo lëndore. Po ashtu, me aktvendim të posaçëm ka vendosur që të akuzuarit të lartcekur t’i vazhdohet paraburgimi.
Në arsyetim të aktgjykimit, gjykata e shkallës së dytë ka vlerësuar se, aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, si dhe shkelje të tjera të cilat kushtëzojnë anulimin e tij. Kjo gjykatë, pas vlerësimit të të gjitha ankesave të ushtruara dhe sipas detyrës zyrtare ka ardhur në përfundim se çështja penale e cila gjykohet, e sidomos nxjerrja e aktgjykimit apo aktvendimit, gjithmonë duhet të jenë në harmoni me dispozitat ligjore nga neni 384 paragrafi 2 pika 2.7 lidhur me nenin 369 të KPPK, ngase aktgjykimi i nxjerrë, duhet të jetë i kuptueshëm, i qartë dhe në harmoni me vetveten, si dhe pjesë tjera të aktgjykimit, për tu dhënë arsye lidhur me faktet vendimtare të cilat e karakterizojnë veprën penale e cila i vihet në barrë të akuzuarit. Gjithashtu, nga shkresat e lëndës, kolegji gjykues ka vlerësuar se në këtë çështje penale nuk është bërë rekonstruimi i vendit të ngjarjes, për të vërtetuar se cilat kanë qenë veprimet e ndërmarra nga ana e të akuzuarit për të kryer veprën penale, që është obligim që të vërtetohen të gjitha pjesët e aktgjykimit, pastaj propozimet e ngritura nga ana e palëve të vendoset që të janë prezent në gjykim, e po ashtu edhe të zbatohen dispozitat ligjore, duke u respektuar të drejtat e të gjitha palëve në procedurë, dhe të krijohen kushte që gjithnjë çështja e sjellë për gjykim të gjykohet tërësisht.
Ndër tjerash, kolegji gjykues ka vlerësuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat kanë ndikuar edhe në vërtetimin e gabuar dhe jo të drejtë të gjendjes faktike, e që të dy këto shkelje kanë ndikuar në shkeljen e ligjit penal, sepse gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur që të vërtetoj elementet e veprës penale e cila i vihet në barrë të akuzuarit, për të arsyetuar ekzistimin apo mos ekzistimin e veprës penale të përshkruar sikurse në pikën I të dispozitivit të aktgjykimit, andaj ka ardhur në përfundim se në këtë çështje penale duhet të nxirret vendim sa më i drejtë, duke e anuluar aktgjykimin në fjalë dhe ia kthyer gjykatës së shkallës së parë të njëjtën çështje në rigjykim e vendosje.
Vendimi i anonimizuar në linkun:
https://apeli.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/AP_PAKR_2024-213501_SQ.pdf