Apeli e lë në paraburgim të pandehurin me nofkën “Lune” në çështjen penale kryerja e veprës terroriste në bashkëkryerje

Apeli e lë në paraburgim të pandehurin me nofkën “Lune” në çështjen penale kryerja e veprës terroriste në bashkëkryerje

Prishtinë, 27 nëntor 2024 – Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit së të pandehurit M.M., ndërsa ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, PS.nr.68/2023, të datës 11.11.2024.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin PS.nr.68/2023, të datës 11.11.2024, të pandehurit M.M., (me nofkën Lune), ia ka vazhduar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy (2) muaj, dhe atë deri më datë 12.01.2025. Paraburgimi i është vazhduar konform dispozitës së nenit 184 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1 dhe 1.2.3 të KPPRK.

Gjykata e Apelit e Kosovës me aktvendimin PN.1.S.nr.258/2024, të datës 19.11.2024, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit së të pandehurit M.M., av. Predrag Miljkoviq, ndërsa ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, PS.nr.68/2023, të datës 11.11.2024. Në këtë çështje penale, ku ndaj të pandehurit të lartcekur ekziston dyshimi i bazuar se më 6 dhjetor 2022, në Zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut, në bashkëveprim me persona të tjerë, me qëllim të destabilizimit të strukturave themelore politike dhe kushtetuese  të Kosovës, kanë hedhur dy granata dore dhe dy shok bomba në drejtim të kësaj zyre, me ç’ rast kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe rrezikuar seriozisht jetën e zyrtarëve të KQZ, kolegji gjykues ka vlerësuar se ka bazë ligjore për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj tij, ngase i pandehuri me lënien në liri mund të fshihet, arratiset dhe të përsërisë veprën penale, nga fakti se pas këtij rasti ndaj të njëjtit janë dorëzuar edhe tri kallëzime penale, prandaj duke vlerësuar rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale, si dhe arsyeve të cekura më lartë, vazhdimi i paraburgimit ndaj të pandehurit M.M., konsiderohet si i domosdoshëm.